Koalicioni “Forumi Shqiptar” përmes kryetarit Nik Gjeloshaj, njofton se do të jetë pjesë e qeverisë së re të Malit të Zi.

Përpos kushteve të vendosura, shqiptarët do të marrin postin e Ministrit të Administratës Publike dhe Zëvendës Kryeministrit për Investimet Kapitale.

“Forumi shqiptar ka pranuar që të jetë pjesë e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi. Gjatë negociatave, Forumi shqiptar arriti të përmbushë programin e tij sipas të cilit do të kemi decentralizim, bastoret dhe kazinot do të vendosen në sistem krejtësisht ndryshe nga ajo që janë tani deri në mbyllje totale dhe që do të sigurojmë pension të pleqërisë për të gjithë qytetarët. Njëkohësisht, Forumi shqiptar do të participojë edhe në qeveri, duke marrë përgjegjësinë e zëvendëskryeministrit për investime kapitale dhe ministrit të Administratës Publike.
Si gjithmonë, ne do të punojmë në interes publik, për avancimin e programit tonë, barazinë e të gjithë qytetarëve dhe kombeve, dhe veçanërisht në ngritjën ekonomike të të gjithë qytetarëve”, sipas njoftimit.

Gjashtë deputetë shqiptarë janë në parlamentin e ri të Malit të Zi, nga 81 në total, të dalë nga zgjedhjet në qershor.

Tre prej tyre duke përfaqësuar direkt shqiptarët dhe interesat e tyre përmes partive nacionale.

Dy mandate deputetësh siguroi koalicioni “Forumi Shqiptar” i Nik Gjeloshajt dhe një ulëse në Kuvend e mori Genc Nimanbegu me koalicionin “Aleanca Shqiptare”. Rritje të rëndësishme në këto zgjedhje shënoi “Forumi Shqiptar” që perveç Gjeloshajt, në Kuvend do të çojë edhe Nikollë Camajn.

Në parlament janë edhe tre shqiptarë të tjerë Mehmet Zenka dhe Drita Llolla por që përfaqësojnë partinë e ish kryeministrit dhe presidentit Gjukanoviç ndërsa përkrah tyre do të jetë edhe shqiptari tjetër Dritan Abazoviç, koalicioni i të cilit siguroi 11 deputetë.

Top Channel