Çuditë s’kanë fund/ Kompanitë në Indi u japin 1 ditë pushim punonjësve për të parë filmin e aktorit që adhurojnë

11/08/2023 14:51

Me njerëz që kërcejnë në rrugë dhe ndezin fishekzjarre, do të ishin skena ngazëllyese fiks për një film indian.

Në fakt, nuk është film por janë festime reale të mijëra adhuruesve të kinemasë në Indinë e Jugut, teksa mirëpritën publikimin e fundit të filmit të një prej super yjeve më të mëdhenj të vendit.

“Jailer”, një thriller aksioni në gjuhën tamile nga aktori i njohur Rajinikanth, literalisht ka pushtuar rajonin që kur u shfaq në kinema të enjten dhe tashmë pritet të vendosë rekorde në arkën e fitimeve në vend.

Filmi mblodhi rreth 5 milionë dollarë në arkë të enjten, bazuar në vlerësimet e hershme, duke e bërë atë fitimin më të lartë për 2023-shin për një film në gjuhën tamile.

Ndërsa industria e filmit shumë miliardë dollarëshe e Indisë mund të jetë më e njohur jashtë vendit për prodhimet e saj në gjuhën hindu “Bollywood”, gati gjysma e 1.4 miliardë njerëzve të vendit nuk e konsiderojnë gjuhën indiane si gjuhën e tyre kryesore. Brenda vendit, sektorët “Tollywood” (gjuha telugu) dhe “Kollywood” (gjuha tamile) të Indisë së Jugut gëzojnë popullaritet të ngjashëm me Bollywood-in.

Filmi është i pari në dy vjet që shfaq aktorin, i cili gëzon një status si gjysmëperëndi në mesin e fansave të tij, dhe aq i madh ka qenë pritja për të parë filmin sa disa kompani u kanë dhënë një ditë pushim stafit të tyre me motivin se do të shkojnë të shohin filmin e super yllit të Bollywood-it, Tollywood-it dhe Kollywood-it.

Kompani të tjera i kanë dhuruar stafit bileta falas për shfaqjen e parë, duke thënë në një memo, publikuar në CNN, se ishte një “ditë për t’u çlodhur, për t’u gëzuar dhe për t’u zhytur në magjinë e ekranit të madh”.

Shpresojmë që kjo ditë pushimi dhe eksperienca e filmit t’ju sjellë gëzim, relaksim dhe energji të përtërirë për të gjithë ju. Le ta vlerësojmë këtë moment dhe të krijojmë kujtime së bashku”, thuhet në memorandum.

Një kompani tjetër, me qendër në shtetin jugor të Tamil Nadu, tha se ata po i jepnin stafit gjysmë dite pushimi për të “shmangur largimet e papritura me justifikimin se janë të sëmurë“.

Aktori me ndjekës të ngjashëm me kultin

 Rajinikanth, 72, i cili ka luajtur në më shumë se 160 filma, është pothuajse sinonim i kinemasë së Indisë së Jugut. I njohur për sekuencat e përpunuara të aksionit dhe lëvizjet unike të vallëzimit, ai ka atë lloj statusi si aktor i filmave aksion, siç p.sh. gëzon të njëjtin status Tom Cruise në Perëndim. Ai madje mendohet të jetë një nga aktorët më të paguar të Azisë.

I lindur Shivaji Rao Gaekwad në qytetin jugor të Bengalurusë në vitin 1950, Rajinikanth bëri debutimin e tij 25 vjet më parë në filmin “Apoorva Raagangal”, i cili u bë një sukses komercial. Niveli i adhurimit mes fansave të tij shpesh është krahasuar me atë të një figure fetare. Disa nga fansat e tij kanë qenë të njohur për festimin e publikimeve të tij të reja duke derdhur qumësht në posterat e aktorit, një akt nderimi që zakonisht rezervohet për hyjnitë hindu.

Rajinikanth është gjithashtu fitues i Padma Bhushan dhe Padma Vibhushan, dy nga çmimet më të larta civile të Indisë, për kontributin e tij në art.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA