Në Shqipëri, italianët kanë filluar të gjejnë oazin e tyre jo vetëm për pushime, por edhe për të jetuar dhe bërë biznes.
Në publikimin e fundit të regjistrit të biznesit, Instituti i Statistikave shprehet se 2875 ndërmarrje në vendin tonë janë në pronësi italiane ose në bashkëpronësi me shqiptarë. Ato përbëjnë 47% të totalit të gjitha ndërmarrjeve të huaja në vend. Sipas ndarjes, 24% e tyre janë prodhues të mirash, ndërsa pjesa tjetër ofrojnë shërbime. Ambra, është një zonjë italiane, e cila ka hapur lokalin e saj në Lungomare. Prej 10 vitesh ajo thotë se ka krijuar familjen e saj në Vlorë
“Kam ardhur në Vlorë në vitin 2003 dhe rashë në dashuri. Që ditën e dytë teksa vizitoja vendin vendosa të vij këtu, sepse Vlora më kujton Italinë e bukur të para 15 viteve. Më pëlqen sidomos natyra, njerëzit shumë mikpritës, si dhe më pëlqen dëshira për të ndihmuar dhe punuar së bashku. Vlora është shtëpia ime, unë jam 100% vlonjate. Kam lindur këtu, kështu i them njerëzve”.
Italianët edhe kanë zgjedhur të jetojnë dhe studiojnë në Shqipëri. Sipas shifrave nga Ministria e Brendshme 356 prej tyre janë rezidentë të përhershëm, ndërsa më shumë se 20 mijë kanë leje qëndrimi që punojnë dhe studiojnë në vendin tonë.
Ndërkohë, sipas INSTAT vizitorë në vendin tonë nga Italia gjatë 6 muajve të parë të vitit ishin 310 336 shtetas, me rritjet 36% nga e njëjta periudhë një vit më parë.
Top Channel