Fotot dramatike nga peshkarexha e tejmbushur me emigrantë në Kalamata! 79 të vdekur, numri i viktimave mund të rritet

14/06/2023 18:52

Dhjetëra anëtarë të brigadave të shpëtimit transportojnë me barrela drejt ambulancave disa prej emigrantëve që kanë shpëtuar pas mbytjes së një anije peshkimi në ujërat ndërkombëtare, 50 milje në jugperëndim të Pylos, pranë gadishullit të Peloponezit.

Autoritetet greke bëjnë fjalë për një prej tragjedive më të mëdha detare sivjet, pasi deri në orët e pasdites të së mërkurës numri i të mbyturve ka qenë të paktën 79 persona. Mbi 104 të tjerë janë shpëtuar, por sipas dëshmive të tyre në anijen e peshkimit ndodheshin mbi 600 emigrantë, midis tyre dhjetëra gra e fëmijë. Katër persona janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Kalamatës me një helikopter Super-Puma.

“Është vërtet një situatë tragjike, një situatë shumë e vështirë me një numër shumë të madh të të mbyturve, një numër që nuk e kemi përballuar në të kaluarën në këto përmasa”, thotë drejtori rajonal shëndetësor Giannis Karvelis.

Sipas kanalit publik të vendit ERT, anija që u mbyt ishte nisur nga qyteti libian i Tobrukut, duke kaluar në ujërat në jug të Kretës me destinacion Italinë. Ajo ishte parë në fillim nga nga agjencia kufitare e BE-së Frontex në ujërat ndërkombëtare pranë Pylos dhe një anije e rojes bregdetare greke i ka ofruar ndihmë, ndërsa emigrantët nuk kanë pranuar dhe kanë deklaruar se donin të vazhdonin udhëtimin e tyre drejt brigjeve italiane. Disa orë më vonë anija u fundos në vendin më të thellë të Mesdheut, ndërsa filloi një operacion gjigant shpëtimi që vazhdon ende.

Autoritetet greke deklarojnë se shumica e emigrantëve ishin nga Egjipti, Siria dhe Pakistani. Të mbijetuarit u dërguan në qytetin e Kalamatës, ku ka shkuar pas tragjedisë edhe  presidentja e vendit Katerina Sakellaropoulou, ndërsa liderët e partive greke kanë ndërprerë për orët në vijim fushatën e tyre elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit.

Greqia ka qenë porta kryesore gjatë krizës migratore të vitit 2015 kur më shumë se 1.5 milionë refugjatë kanë mbërritur në ishujt e saj nga Turqia me destinacion Europën qendrore, por në vitet në vijim fluksi është minimizuar në mënyrë dramatike sidomos me ardhjen e konservatorëve në fuqi në vitin 2019.

“Kam frikë se numri i viktimave do të jetë më i madh sepse numri i njerëzve në bord ishte shumë më i lartë se kapaciteti”, thotë Karvelis.

“Vetëm trishtim dhe zemërim pas një tjetër tragjedie vdekjeprurëse në Mesdhe”, ka shkruar  në Twitter Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, që bëri thirrje qeverive të punojnë së bashku në krijimin e shtigjeve të sigurta për njerëzit që ikin nga varfëria dhe lufta.

Vetën në pesë muajt e parë të këtij viti mbi 72,000 refugjatë dhe migrantë kanë mbërritur në vendet mesdhetare të Evropës, shumica në Itali dhe rreth 6,500 në Greqi.Sipas Kombeve të Bashkuara rreth 1000 të tjerë vlerësohet se janë mbytur në Mesdhe ose konsiderohen të humbur.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA