Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, mirëpriti sot në takim përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Në takim u diskutua për procesin e pas-zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, përfshirë këtu betimin dhe ditën e parë në punë të kryetarëve të zgjedhur.
“Kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të rezultateve të zgjedhjeve demokratike, duke shtuar se shkuarja e kryetarëve të komunës në zyrat e tyre të punës dhe ofrimi i shërbimeve bazike për qytetarë duhet të trajtohen si gjë normale”– u bë e ditur në komunikatë, raporton Kosova Press.
Pesë policë janë lënduar dhe katër automjete u dëmtuan ditën e djeshme nga incidentet në veri të Kosovës, ndërsa disa qytetarë u mblodhën para ndërtesave komunale për të penguar hyrjen e kryetarëve në komuna. Sipas Policisë së Kosovës, një prej veturave është djegur. Përveç personave të angazhuar dhe automjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet, të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.
Ndërkohë, ndërkombëtarët kanë dënuar veprimet e Qeverisë Kosovës, duke kërkuar që të ulen tensionet.
Top Channel