Gjithmonë e më shumë zëra po ngrihen në Kosovë në mbështetje të rishikimit të kornizës ligjore të Gjykatës Speciale, pas vendimit të ashpër të saj me dënime shumë për katër ish krerët e UÇK-së në Hagë.

Njëra nga partitë më të mëdha opozitare në vend, Partia Demokratike e Kosovës, dërgoi në Kuvend projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e legjislacionit që lejoi krijimin e Dhomave të Specializuara në vazhdën e protestave masive kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të cilët nga paneli gjyqësor u shpallën fajtorë për krime lufte.

Bedri Hamza, kryetar i PDK-së, parti kjo që ngërthen në politikën e saj vlerat e luftës së UÇK-së, tha se nisma për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale të Kosovës “nuk synon mbylljen e Gjykatës Speciale apo pengimin e hetimit të rasteve për të cilat ato janë krijuar, përfshirë pretendimet për trafikim organesh, por ndryshimin e ligjit për të përcaktuar më qartë kufijtë e mandatit dhe kompetencave të tyre”.

Por a mund të realizohet vërtet një ndryshim i tillë ligjor? Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i tha DW-së se deputetët e Kuvendit kanë të drejtë dhe kompetencë kushtetuese për të iniciuar plotësim dhe ndryshim të Ligjit për Dhomat e Specializuara, por: “me kusht që plotësim dhe ndryshimi i ligjit të mos cenojë obligimet që ka marrë Kosova në bazë të amendamentit kushtetues të përcaktuar me nenin 162 të Kushtetutës. Po ashtu, çdo plotësim dhe ndryshim i ligjit nuk mund të jetë në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër Republika e Kosovës”, thotë Miftaraj.

Sipas tij, çdo plotësim apo ndryshim i ligjit do të duhej të bëhej në konsultim dhe bashkëpunim me shtetet kryesore të Këshillit të Bashkimit Evropian apo SHBA-të, në mënyrë që këto ndryshime të kenë efekt dhe të jenë të zbatueshme në praktikë.

Miftaraj rikujton se në fund të fundit, “çdo plotësim dhe ndryshim i Ligjit mbi Dhomat e Specializuara është subjekt i vlerësimit të ligjshmërisë nga ana e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në Hagë, e përbërë nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë të cilët vendosin ekskluzivisht mbi referimet kushtetuese në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.

 

Top Channel