Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së / “Heshtje institucionale e turpshme!”, gazetarja nga Prishtina: Qytetarët në sheshe, politika t’i lërë anash ndarjet

22/09/2026 13:44

Vendimi i Gjykatës së Hagës për ish-krerët e UÇK-së, të cilët u dënuan me një total prej 81 vitesh burg, ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.

I ftuar në një lidhje direkte për emisionin “Breaking” në Top News, eksperti i sigurisë Bedri Elezi dhe gazetarja nga Kosova, Afërdita Maliqi, kanë analizuar situatën e krijuar dhe mungesën e një përgjigjeje zyrtare nga ana e institucioneve.

Maliqi vuri në dukje kontrastin e madh mes mobilizimit masiv qytetar dhe heshtjes së klasës politike, duke e cilësuar këtë të fundit si të papranueshme përballë një momenti kaq delikat kombëtar.

Nga ana e tij, eksperti i sigurisë Bedri Elezi u ndal tek aspektet juridike dhe institucionale, duke theksuar se mekanizmat e sigurisë kombëtare mbeten rruga kyçe për të menaxhuar kompetencat dhe situatën e krijuar pas vendimit të fundit.

Mobilizim ka vetëm nga ana qytetare. Është nata e shtatë dhe sheshi i Prishtinës është i mbushur me qytetarë, ku rinia dominon. Kosova është ende në mërzi, nga ana tjetër nuk kemi një reagim institucional. Është e turpshme! Është një akt i rëndë dhe ne nuk kemi një reagim, pavarësisht se arsyetimet janë të kota.

Për aq kohë sa Kushtetuesja nuk ka marrë një masë të përkohshme, Kuvendi mund të kishte një reagim institucional. Kemi dëgjuar fjalë jo të drejta. Në këtë moment klasa politike e Kosovës, pavarësisht dallimeve partiake, është para një çështjeje madhore që të gjithë duhet të bëhen bashkë, me një vendim dhe strategji”, u shpreh Maliqi.

Ne jemi duke ndjekur me vëmendje të shtuar zhvillimet që vijnë. Kemi ndjekur reagimet në lidhje me strukturat, qoftë subjektet politike. Ne kemi thënë se ka shumë diskutime rreth asaj çfarë duhet bërë. Siguria kombëtare është i vetmi mjet që mund ta përdorim në rastin konkret për t’i derivuar kompetencat për të shkuar drejt mundësisë së krijimit të rrethanave juridike për t’ia marrë autorizimin këtij organi të Kuvendit të Kosovës që ka autorizim të posaçëm”, tha Elezi.

Top Channel