Vrasja e Ardian Nikulajt ende pa autor/ Dhjetëra të shoqëruar në polici! Burime: Autori u largua në drejtim të Shkodrës

20/04/2023 10:50

Ekzekutimi i ish kandidatit për deputet në zgjedhjet e 2021-shit, Ardian Nikulaj një ditë më parë në biznesin e tij në Shëngjin, vijon të mbetet pa autor.

Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në të gjithë territorin, gjithashtu kanë qenë të shumtë personat e shoqëruar në komisariatin e Lezhës për të deklaruar.

Sipas informacioneve, policia ka kryer disa kontrolle banesash dhe janë marrë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të parë drejtimin në cilin ka lëvizur autori.

Burime bëjnë me dije se autori ka vepruar i vetëm në këtë vrasje dhe është larguar në drejtim të Shkodrës, por ende nuk është e qartë dhe për hetuesit nëse është larguar nga lagjia “Nënë Tereza” për të dalë në aksin rrugor Lezhë-Shkodër apo ka dalë nga aksi rrugor Shëngjin- Lezhë.

Mbeten kamerat e sigurisë si e vetmja provë për grupin hetimor për të hedhur dritë mbi ngjarjen.

Biznesmeni Nikulaj do të përcillet nesër për në banesën e fundit. Ceremonia mortore do të mbahet nesër në orën 13:00, ndërsa 50-vjeçari do të prehet në varrezat Kodër-Marlekaj.

Si ndodhi ngjarja e rëndë?

Adrian Nikulaj, biznesmen në Lezhë, ish kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit të këtij viti u vra me pistoletë nga një person i maskuar në ambientet e biznesit të tij Coral rreth orës 13:30 në 19 prill.

Autori mban një maskë, skafandër, jelek fosforeshent dhe i kamufluar me veshje të trasha, opasi kryen vrasjen me pistoletë në një disatancë shumë të afërt dhe i vetëm u largua qetësisht me motor nga vendngjarja. Viktima po konsumonte kafen e tij të fundit në lokalin e tij në Shëngjin, kur autori e ka qëlluar shtatë herë me pistoletë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit.

Nikulaj ishte kandidat për deputet nën siglën e Partisë Socialdemokrate në zgjedhjet e vitit 2021. Ndërsa në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 maj ai ishte kandidat për Këshillin Bashkiak. Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim.

Konkretisht në vitin 2003 ai është dënuar me katër muaj burg për armëmbajtje pa leje, kurse në vitin 2006 ka marrë gjobë për kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh.

Qarku i Lezhës ka precedentë në krime që prekin personazhe të përfshira në procesin zgjedhor. Qershorin e vitit 2013 si pasojë e të shtënave nga armët e zjarrit, mbeti i vdekur në vend 49-vjeçari Gjon Gjoni, i cilësuar si simpatizant i LSI.

Në këtë breshëri armësh mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, kandidati i PD-së, Mhill Fufi njëkohësisht edhe nënkryetar i qarkut si dhe i afërmi i tij Kastriot Fufi.

 

FOTO GALERI
4/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA