Debati në “Top Talk”/ Koka: Saranda u betonizua nga socialistët, Denaj: Eja shihe nga afër

18/04/2023 17:45

Diskutimi në “Top Talk” për punën e bërë nga mazhoranca dhe premtimeve të bëra në prag të zgjedhjeve të 14 majit, u shoqërua me përplasje mes ish-ministres Anila Denaj dhe gazetarit Bledian Koka.

Ish-ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, u shpreh se në Shqipëri ka opsione të ndryshme për të bërë pushime.

Gazetari Bledian Koka i hodhi poshtë këto deklarata duke u shprehur se Saranda është betonizuar totalisht, duke e konsideruar si pasqyrimi real i vizionit të mazhorancës.

Denaj: Me përjashtim të ndonjë zone turistike që und të ketë çmime elitare, pjesë tjetër ka hapësirë për të gjithë. Një nevojë për të diskutuar janë plazhet. Në të gjithë Shqipërinë gjenden edhe ato me çmim më të ulëta. Në raport me plazhet, ky është diskutimi.

Koka: Bashkia e Sarandës është menaxhuar në pjesën më të madhe nga kandidatët e Partisë Socialiste dhe betonizimi e shkatërrimi i asaj që njihej si një nga qytetet më të bukura është pasqyrimi real i vizionit që ka mazhoranca aktuale. Sot pas tre mandatesh nuk mund të thuhet se, ne nuk kemi bërë disa gjëra, por tani e tutje ju do të shihni mrekullira. Një qeveri që nuk e ka vizionin e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm nuk mund ta kenë edhe në vazhdim. Sa për plazhet publike, sa ka në Sarandë? Më thoni sa plazhe publike i lihen qytetarëve të cilët duan të shkojnë?

Denaj: Po duhet të vish Bledi, të shoqëroj unë. Eja të enjten, ikim bashkë. Të shoqëroj të shohësh edhe plazhet publike edhe si ka ndryshuar Saranda. Eja të flasësh me prova, por jo kështu me kritika televizive.

Top Channel