“Shantazhet për publikimin e fotove”/ Eksperti Semanaj: Kemi pasur pedofili dhe përdhunime të miturish

31/03/2023 17:47

Eksperti i IT Besmir Semanaj zbuloi në “Top Talk” se si të miturit kanë rënë pre e përdhunimeve pas shantazheve që iu janë bërë.

Semanaj deklaroi se për shkak të presionit që iu është bërë të miturve, edhe pse fotot mund të mos ekzistonin fare, ka sjellë pasoja fatale tek ata.

“Kemi pasur disa traste në Shqipëri ku me anë të shantazhit për publikimin e materialeve të ndryshme, të cilat dhe nuk ekzistonin për një adoleshent ose të mitur rreth moshës 12-17 vjeç, nuk e kupton nëse në të vërtetë këto foto ekzistojnë apo jo. Kemi pasur pedofili dhe përdhunime. Kjo nuk është vetëm në Shqipëri por edhe në vendet e BE-së e më gjerë”, tha ai.

Sipas ekspertit detyra e prindërve është që ta flasin me fëmijët e tyre rreth pasojave që sjell përhapja e fotove të ndryshme në rrjete sociale, pasi atom und të përdoren më pas nga persona të ndryshëm.

Njëkohësisht ata duhet të kontrollojnë pajisjet që fëmijët e tyre përdorin, por edhe tu regjistrojnë programe që kontrollon veprimet që kryhen aty.

“Detyra e prindërve është ta flasin me fëmijët e tyre kush janë rrisqet. Një djalë ose një vajzë 12 vjeç e ka shumë të lehtë t’i nisë një foto shokëve ose shoqeve të klasës, e cila nesër pasnesër mund t’i përdoret. E dyta është kontrolli i pajisjeve që përdorin. Duhet të kemi paswordin dhe duhet të ketë një aplikacion të regjistruar që tregon se çfarë veprimesh kryen në pajisjen e fëmijëve tanë. Ndërkohë fëmijës duhet t’i bëhet e ditur që pajisja juaj është në monitorim. Ata duhet ta dinë që përpara se të bëjnë një veprim ta mendojnë mirë”,  u shpreh Semanaj.

Top Channel