Shqipëria nis rrugëtimin drejt Gjermanisë, ja formacioni i mundshëm ndaj Polonisë

27/03/2023 09:21

Shqipëria nis rrugëtimin drejt Gjermanisë. Kuqezinjtë synojnë objektivin për të marrë pjesë për të dytën herë në histori, në finalet e një Kampionati Europian.

Kombëtarja shqiptare luan të parën ndeshje në Varshavë. Në mbrëmje do të matë forcat me skuadrën e konsideruar si pretendentja kryesore, Poloninë.=

Nis një epokë e re për kuqezinjtë, që në startin e këtyre kualifikueseve kanë me vete eksperiencën e futbollistëve që prej vitesh kanë veshur fanellën kuqezi, dëshirën e lojtarëve të rinj që i janë bashkuar skuadrës, kanë energjitë e trajnerit Sylvinho, i cili debuton si timonier i Shqipërisë.

Kanë entuziazmin e atyre që duan të përjetësohen në historinë e futbollit shqiptar. E si gjithmonë kanë me vete zemrat e të gjithë shqiptarëve që do t’i shoqërojnë hapa pas hapi, në çdo moment, për të realizuar objektivin e përbashkët, që në Gjermani të valëvitet flamuri kuqezi, të këndohet himni ynë e bota e sporti të bëhet sërish një ambasador për vendin tonë.

Një mision i vështirë, që nis me besim për të arritur një nga dy vendet e para në grupin E. Krahas Polonisë, do të jenë kundërshtarë të Shqipërisë dhe Republika Çeke, Ishujt Faroe dhe Moldavia.

Një epokë e re, me Sylvinhon, i cili do të kërkojë që të shfrytëzojë njohuritë që ka marrë nga emrat e mëdhenj si Pep Guardiola, Tite, Roberto Manchini dhe Arsen Wenger me të cilët ka bashkëpunuar, t’i integrojë në lojën e Shqipërisë, për të arritur objektivin e kualifikimit, çka do i jepte një kontratë të re me Shqipërinë, por mbi të gjitha lavdinë e një populli të tërë që i ka besuar një mision shumë të rëndësishëm.

Kundërshtari vjen në një moment jo të mirë, pasi e nisi me humbje këtë edicion kualifikuesesh. Ndërkohë që bën prenzatimin në shtëpi dhe trajneri i ri Fernando Santos, i cili u emërua para pak kohësh në pankinën e polakëve e do të synojë autokritikën për këtë takim.

Shqipëria duhet të bëjë pa disa emra të rëndësishëm si Berat Djimsiti, Ardian Ismajli, Keidi Bare dhe Armando Broja, të cilët janë të dëmtur. Nga ana tjetër 23 lojtarët e grumbulluar janë plotësisht gati për të shfrytëzuar në çdo moment besimin e Sylvinhos, për ta nisur në mënyrën e duhur këtë aventurë të re.

Për ta nisur me një fitore që do ndizte zemrat e të gjithë tifozëve kuqezi. Atyre që ëndërrojnë se edhe një herë tjetër, pas Euro 2016, Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse në Europian.

Formacioni i mundshëm i kuqezinjve në Varshavë:

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA