Deputetët e Berishës i janë drejtuar me një kërkesë kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, ku i kërkojnë ndryshim të Rendit të Ditës, duke përfshirë në seancën plenare të kësaj të enjte si pikë e parë mocion me debat për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Gjatë fjalës në fillim të seancës, deputeti Luçiano Boçi e konsideroi raportin e DASH një ndër më të rëndët, i cili tregon gjendjen e vërtetë të Shqipërisë. Sipas Boçit, në raport theksohet kapja e drejtësisë nga pushteti.
“Kërkesa ynë për mocion me debat niset nga fakti që DASH është një nga raportet më të rënda ju do thoni që raportet janë të përvitshme, por si kësaj here rëndesa nuk ka qenë kurrë. Tregon qartazi rrëshqitjen e Shqipërisë drejt një autokracie idiote, theksi i raportit vihet te gjendja e lirisë së medias dhe kapja e sistemit të drejtësisë. Situata është ajo që pasqyron ky raport dhe nuk keni ku fshiheni. Gjyqësori i kapur nga qeveria, sikurse ulëritëse është gjendja e korrupsionit e lidhur ngushtë me inceneratorët. Raporti përcakton 273 mln euro nga inceneratorët”, tha Boçi.
Në kërkesën e Rithemelimit drejtuar Kuvendit, mbështetësit e Berishës argumentojnë se “gjetjet e raportit të DASH janë tejet serioze dhe nxjerrin në pah situatën alarmante ku ndodhet Shteti Shqiptar pas gati 10-vite keqqeverisje”.
“Disa nga gjetjet e këtij raporti janë, mangësitë me pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit, mungesa e mediave të pavarura dhe korrupsioni i vazhdueshëm në qeverisje, në organet e zbatimit të ligjit dhe në institucionet lokale, ishin problemet kryesore në Shqipëri gjatë vitit të kaluar, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit. Ndonëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, “presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thuhet në këtë raport. Korrupsioni, thekson raporti, ishte i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë edhe prokurimin publik dhe partneritetet publiko-private. Një nga problemet kryesore të përmendura në raport është gjendja e medias dhe trysnia ndaj saj. Sipas raportit, vëzhguesit pohojnë se “qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin në media në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente”.”- shkruhet më tej në kërkesën e Rithemelimit.
Vlen të theksohet se seanca plenare, e nisur prej orës 10:00, në rendin e ditës parashikon një interpelancë e deputetëve demokratë Bujar Leskaj dhe Zef Hila me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Dhe më pas një seancë pyetjesh të drejtuara nga deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ndaj ministres së Arsimit, Evis Kushi.
Top Channel