Tashmë, pozicioni i saj është i çimentuar: Finlanda rezulton për të gjashtin vit me radhë vendi më i lumtur në botë, duke pushtuar kreun e listës edhe për 2023-shin.
Vendi nordik dhe fqinjët e tij, Danimarka, Islanda, Suedia e Norvegjia që të gjithë kanë marrë pikët më të larta në Raportin e Lumturisë, botim i Rrjetit të Zgjidhjeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së i bazuar mbi një anketim vjetor nga Gallup në lidhje me pritshmërite e një jetese të shëndetshme, GDP-në për kokë, mbështetjen sociale, nivelet e perceptuara të korrupsionit, bujarinë në një komunitet, ku njerëzit kujdesen për njëri-tjetrin e lirinë për të marrë vendime të rëndësishme për jetën.
Në sondazh, pyeten rreth 1000 individë në rreth 150 vende të botës, të cilëve iu kërkohet që të rendisin nga 1 në 10 qëndrimin e tyre për të parë nëse po jetojnë mirë ose jo. Shqipëria ka rënë një pozicion duke u renditur në vendin e 91, nga 146 shtete gjithsej, ndërsa nga shtetet e Europës ajo lë pas Turqinë, që është në vendin e 102-të, Maqedoninë e Veriut, dhe Gjeorgjinë.
Maqedonia e Veriut ka rënë tre pozicione, Serbia ka rënë katër vende duke u renditur e 47-ta, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi janë secila nga 4 vende më lart. Sipas raportit, lumturia globale nuk është goditur në tre vitet e pandemisë Covid-19, ndërsa vlerësimet e jetës nga 2020 deri në 2022, kanë qenë “jashtëzakonisht elastike”.
Pavarësisht nga përmasat e vuajtjeve dhe dëmeve në Ukrainë, vlerësimet e jetës atje sakaq mbetën më të larta, se sa në pasojat e aneksimit të vitit 2014, të mbështetura tani nga një ndjenjë më e fortë e qëllimit të përbashkët, dashamirësisë dhe besimit tek udhëheqja vendase.
Top Channel