Një shtëpi bari është zbuluar në një ish-tunel të ushtrisë në Krujë. Pesë persona janë vënë në pranga, 3 prej të cilëve autorë të dyshuar dhe dy punonjës të OSHE-së.

Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në tunel ishin instaluar llamba për kultivim të bimëve narkotike. Brenda tunelit janë gjetur 390 bimë të  dyshuara narkotike cannabis sativa, sistem ndriçimi me 30 llamba, 1 aspirator, 2 ventilatorë, 30 rritës të energjisë elektrike, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

Të arrestuarit janë Haki Selimi, Rexhep Halili dhe Arlind Selimi. Punonjësit e OSHEE-së, Fushë Krujë, shtetasit Oltjan Farruku dhe Ervis Halili.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit Sokol Kullaj, përgjegjës grupi i OSHEE-së dhe Erald Kullaj, elektriçist i zonës.

Policia njofton se tuneli furnizohej me energji elektrike të pandërprerë, nëpërmjet një lidhjeje të paligjshme të energjisë elektrike, në shtyllën e tensionit në fshatin Halil, Fushë Krujë, lidhje për të cilën ka qenë e nevojshme patjetër ndërhyrja e specializuar e punonjësve të OSHEE-së së zonës.

Ndërkohë, vijon puna hetimore për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari, ndërsa ndaj të arrestuarve janë ngritur  akuzat për veprat  penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja e energjisë elektrike”, “Organizimi i lojërave të fatit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Top Channel