Drita Elezi, 64-vjeçarja e cila humbi kontaktet gjatë kohës që bënte guida turistike në Karaburun, është shpëtuar pas disa orësh nga zona ku mbeti e bllokuar.
Në një intervistë për gazetarin e “Top Channel” Mikel Marsi, ajo ka treguar se për shkak të mjegullës nuk ka arritur të shohë më tej grupin, duke humbur kontaktet.
“Shumë mirë jam. Ishte faji im humba kontaktin me grupin, kishte shumë mjegull nuk shikoja dot. Qëndrova në mal, ishte pak e vështirë dhe kisha ftohtë. Ushqime kisha marrë me vete, ndërsa frikë kisha pak. Kam rreth 10 vite që e praktikoj. Nuk e di nëse do ta vazhdoj por do të marr veten njëherë”, tha Drita Elezi.
Pas njoftimit që nga pasditja e ditës së djeshme, forca të shumta policore janë vënë në gatishmëri për të gjetur 64-vjeçare.
Pavarësisht se kërkimet kanë vazhduar edhe gjatë natës gjetja e saj dhe mbërritja në destinacionin e duhur është bërë vetëm gjatë paradites së sotme.
Gjashtë efektivë të Delta Forcë kanë zbritur të humburën në afërsi të Llogorasë, ndërsa gjatë natës kontrollin e kanë vijuar gjashtë efektivë të tjerë dhe forcat e zonave të mbrojtura.
Top Channel