Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, anëtari i kryesisë Eno Bozdo dhe analisti Mentor Kikia kanë diskutuar sot në “Top Story” situatën pas vendimit të Apelit për fatin e PD-së.

Enkelejd Alibeaj ka ftuar kandidatët e primareve të bashkohen për 14 majin, ndërsa pala e Sali Berishës mbrëmë bëri në KQZ kërkesën për regjistrim në zgjedhje.

Sipas Kikisë, nuk ka më asnjë shans për bashkimin e dy grupimeve brenda PD-së.

Mentor Kikia: Për bashkim, unë nuk shoh shanse pasi aty ku kanë shkuar palët deri më tani, me të gjitha ujërat që kanë rrjedhur, kush kishte për të ndryshuar rrugën, tashmë e ndryshoi. Ndërkohë, për një bashkim zyrtar me dy grupet që janë kristalizuar, nuk shikoj.

Ndërsa 3 marsi, për mua vazhdon të mbetet një ditë turpi për sistemin gjyqësor, jo sepse riktheu çështjen në shkallë të parë, por sepse tre gjykatës nuk patën kurajon dhe trimërinë të marrin një vendim. Gjykata e shkallës së parë do të duhej ta kishte zgjidhur këtë punë. Kjo është si një telenovelë braziliane nga to të viteve ’90, që zvarriteshin dhe zvarriteshin pa pikën e kuptimit dhe pa pikën e fabulës.

“Gjykatësit, të gjendur mesa duket në presionin e monitoruesve të brendshëm dhe të jashtëm, kanë gjetur zgjidhjen as mish, as peshk, por të shpëtojnë veten e tyre si struci”, shprehet analisti më tej, ndërsa Hasimja thotë se mundësia e bashkëpunimit ekziston ende, por nuk mund të ndodhë tani.

Ermal Hasimja: Janë dy-tre gjëra që mund të parashikohen lehtë. E para, Partia Demokratike e kontrolluar nga Berisha, do të dalë në zgjedhje në një mënyrë apo një tjetër gjithsesi.

Praktikisht, kemi arritur në një situatë ku kemi një Parti Demokratike, që ka tërhequr pas vetes shumicën dërrmuese të së djathtës. Kemi dhe një mini parti të vogël, të drejtuar nga Alibeaj, por që përfaqëson një një mini parti të ish-partisë.

Më vonë, mund të shihet mundësia e bashkëpunimit. Mendoj që kur gjërat të qartësohen nga ana ligjore nga KQZ, do ta shohim më qartë.

I pyetur sa e mundur është dhe si mund të funksionojë bashkimi i kandidatëve të Berishës dhe Alibeajt, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Eno Bozdo shprehet se nuk është e mundur një mundësi e tillë. Ai dënon vendimin e Gjykatës së Apelit, pasi ka njohur një palë “që nuk ekziston”.

Eno Bozdo: Ajo që të vret më shumë në këtë histori, nuk është vendimi i gjykatës në vetvete. Ishte i pritshëm në rrethanat ku ndodhemi. Një vendim i tillë është në interes të Edi Ramës. Vendimi që ka marrë Gjykata e Apelit, përveçse është një vendim precedent se ka njohur palë një që nuk është palë, por është në interes të Ramës që kjo çështje të mos zgjidhet dhe PD të jetë në të njëjtën situatë si në 6 mars, në zgjedhjet e pjesshme lokale.

I pyetur nga gazetarja Juli Xhokaxhi se cilat janë gjasat për ta zgjidhur, Bozdo përgjigjet:

“Sherret në PS dhe PD në këto 30 vite, nuk kanë qenë asnjëherë të pakta. PD ka një rekord të luftës së brendshme. Shumë grupe kanë ikur nga Partia Demokratike, por asnjë grup i vogël nuk ka ikur duke marrë vulën. Për herë të parë në histori, pakica e pakicës arratiset dhe merr vulën.

Realiteti fals që ka prodhuar Enkelejd Alibeaj dhe Lulzim Basha është një realitet më i turpshëm, sa nuk ka ku të shkojë. Fakti që Lulzim Basha paska firmosur një autorizim për regjistrimin e PD-së tregon qartë se në çfarë niveli mashtrimi kemi arritur”.

Top Channel