Udhëtarët në aeroportin e Rinasit janë të shumtë çdo ditë, jo vetëm në daljet nga vendi, por edhe në hyrjet, ku një pjesë e mirë janë turistë që zgjedhin të vizitojnë vendin tonë.
Tirana është një pikënisje e itinerarëve që turistët bëjnë për të njohur Shqipërinë. Kjo e ka ndihmuar kryeqytetin që vitet e fundit të ketë një rritje të vizitoreve te huaj që ndalojnë në atraksionet turistike dhe kanë kuriozitet për traditat tona.
“Kam ardhur për të vizituar Tiranën, është hera e parë që vij. Unë jetoj në Belgjikë. Vendosa që të vij dhe të kaloj disa ditë në Tiranë pasi më duket një vend interesant. Po përpiqem që të vizitoj vendet e ballkanit. Një ditë kemi që kemi ardhur dhe deri më tani përshtypja e parë është e mirë. Do të qëndrojmë 5 ditë. Jemi duke bërë një tur për të parë sa më shumë nga Tirana”, tha një turist.
Interes për turistët kanë muzeumet ku arrijnë të mësojnë më shumë rreth historisë së vendit tonë, për ndërtimet por dhe për peisazhet natyrore.
“Po më pëlqen shumë Tirana sepse po shoh që ka një ndërthurje mes të kaluarës dhe modernes dhe mendoj se kjo është tipike për Tiranën se jeni një vend që po pësoni ndryshime, po bëheni një vend më modern dhe kjo ndihet kur e viziton. Erdha në Tiranë sepse doja një destinacion që nuk e njihja, pra që nuk kisha qenë më parë por edhe bileta për të ardhur ishte e lirë. Tirana më ka lënë një përshtypje mjaft të mirë”, tha një tjetër turiste.
Periudha më e mirë për turizmin mbetet sezoni veror, por ajo çka po vihet re është se gjatë gjithë vitit në kryeqytet ka turistë që vijnë për të kaluar disa ditë. Vitin e kaluar Tirana u vizitua nga 4.5 milionë turistë, shifër kjo shumë herë me e lartë krahasuar edhe me periudhën para pandemisë, çka ka sjellë përfitime të shumta edhe për ekonominë e qytetit.
Top Channel