Riot policemen on motorcycles try to disperse demonstrators during clashes after the end of a rally in honor of the 57 victims of Greece's deadliest train crash, in central Athens, Greece, 05 March 2023. EFE/EPA/ORESTIS PANAGIOTOU

Për të tretën ditë rrjesht mijëra greke demonstruan në Athinë para parlamentit për të shprehur pikëllimin dhe zemërimin pas aksidentit tragjik ne luginën e Tebit në të cilën humbën jetën të paktën 57 persona, midis tyre 6 me origjinë shqiptare.

Nuk ishte një gabim njerëzor shkruanin disa prej pankartave që mbanin në duar, ndërsa kanë lëshuar edhe dhjetëra tullumbace të zeza në qiellin e kryeqytetit.

“Ndjejmë pikëllim të papërshkrueshëm për ngjarjen, është tragjike, nuk mund të qetësojmë dhimbjen e familjeve që kanë humbur fëmijët e tyre dhe as t’i kthejmë ata, por jemi këtu, që të mos mbetet asgjë në errësirë, që gjithçka të zbulohet, të paguajnë përgjegjësit, ata që ia lanë hekurudhën fatit, të gjitha qeveritë gjithë këto vite”, tha një banore.

Punonjësit e hekurudhave, të cilët humbën gjithashtu kolegët, ndodhen ne greva të vazhdueshme prej ditës së aksidentit duke denoncuar uljen e kostove dhe investimet e pamjaftueshme në infrastrukturën hekurudhore, një trashëgimi e krizës ekonomike të Greqisë nga viti 2010 deri në 2018.

“Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme të punëtorëve, ka pasur indiferencë kriminale nga përgjegjësit ndaj kërkesave tona për sistemet e sigurisë dhe kjo është ajo që ka çuar në këtë aksident tragjik”, tha kreu i sindikatës së hekurudhave Kostas Genidounias.

Por edhe njëherë protesta paqësore është degjeneruar në përleshje me forcat e policisë të cilat kanë vazhduar përreth sheshit të parlamentit.

Protesta të tjera janë zhvilluar edhe në Selanik dhe qytete të ndryshme të vendit.

Kryeministri Mitsotakis  5 ditë pas tragjedisë ka kërkuar në postimin e përjavshëm të tij në rrjetin social Facebook një falje të madhe, si personale ashtu edhe në emër të të gjithë atyre që kanë qeverisur vendin prej vitesh  duke theksuar se – “Drejtësia do të hetojë shpejt tragjedinë dhe do të caktojë përgjegjësitë .

Në një klimë të thellë pikëllimi e zemërimi janë zhvilluar edhe ceremonitë e varrimeve të disa prej viktimave midis tyre edhe të 20 vjeçares Kaludia Lata në lagjen Nea Smirni të Larisës.

Në gjykatën e Larisës përgjegjësi i stacionit për të dytën ditë rrjesht po deponon pranë organeve kompetente, dhe sipas avokatit të tij do të marrë përsipër vetëm përgjegjësinë që i takon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA