Reali i Madridit tregoi edhe një pse është klubi më i madh në botë me 14 Champions në palmaresin e tij.
Klubi mbretëror spanjoll, edhe pse pësoi dy gola pa u mbushur çerek ore në “Anfield”, përballë finalistit të sezonit të kaluar (të cilin e mposhti në finale), tregoi forcën që e karakterizon, jo thjesht duke përmbysur rezultatin (2-5), por duke i thënë një “shuplakë” skuadrës së Jurgen Kloppit.
Golat e shpejtë të shënuar nga Nunez (4’) e Salah (14’) gjetën kundërpërgjigjen e shpejtë të “Los Blancos”, që barazuan shifrat brenda fraksionit hapës me dy gola të Vinicius Juniorit.
Në pjesën e dytë festivalin e golave vijuan Militao dhe Benzema, që sikurse Vinicius sigloi dygolësh.
Me fitoren e thellë të arritur në “Anfield”, për Realin duket si shëtitje kualifikimi në çerekfinale.
Fitore e pastër e Napolit 0-2 në fushën e Eintrachtit të Frankfurtit. Kryesuesit e Serisë A treguan se nuk është rastësi që po dominojnë elitën e futbollit italian.
Kvaratskhelia humbi një 11-metërsh në pjesën e parë, gjithsesi Napoli shkoi në pushimin mes pjesëve në epërsinë e një goli falë rrjetës së Osimhen.
Gjithçka u bë më e lehtë për Napolin kur Kolo Muani la skuadrën e tij me 10 lojtarë. Di Lorenzo shënoi golin e dytë për napolitanët në minutën e 65-të, duke mbyllur përfundimisht sfidën, me skuadrën e Spallettit favorite për të vijuar më tej.
Top Channel