Kritika e Ronaldos “shkund” Man. United, në verë nis ndërhyrja

12/02/2023 15:18

Ishte një nga kritikat më të forta të Cristiano Ronaldos për Manchester United në intervistën me Piers Morgan: klubi nuk kishte investuar prej vitesh për të përmirësuar qendrën stërvitore Carrington për sa u përket palestrave, pishinave apo kuzhinës.

“Manchester United ka bërë zero progres. Krahasojeni me Realin e Madridit dhe Juventusin, që ndjekin teknologjinë për sa i përket stërvitjes, ushqimit, kushteve për të rikuperuar lojtarët… United është pas Real it të Madridit dhe Juventusit në këto aspekte, për fat të keq. Shpresoj që në vitet e ardhshme të kryejë investime”, deklaroi CR7 në dhjetor.

Tani, duket se drejtuesit e “Djajve të Kuq” i kanë vënë gishtin kokës, për t’i krijuar kushtet më të mira skuadrës së Erik Ten Hag dhe në verë do të fillojë punën për një palestër të re, e cila madje do t’i lejojë lojtarët të praktikojnë joga, nëse ata dëshirojnë, shkruan gazeta “The Sun”.

Verën e kaluar ka pasur ndërhyrje në pishina dhe në sallën e informimit, mbetet për t’u parë se çfarë mund të bëhet tjetër, në një kohë kur flitet për interesimin e familjes Glazer për shitjen e klubit.

“Daily Mirror” raporton se United ka emëruar kompaninë KSS për punimet në Carrington, e njëjta kompani që ka marrë përsipër ndërtimin e qendrës së re stërvitore të Leicesterit.

Top Channel