Një klub i Premier League-s e kërkoi në janar, sulmuesi i Barçës do suksesin në “Camp Nou”

08/02/2023 09:31

Pavarësisht performancës me ulje-ngritje, që kur mbërriti te Barcelona një vit më parë, Ferran Torres është i bindur se do të triumfojë në “Camp Nou”.

Në merkaton e fundit të dimrit, Barça mori një ofertë nga një klub elitar në Premier League për sulmuesin spanjoll, por përgjigjja ishte se Ferran nuk dëshironte t’i dëgjonte ofertat, sepse ai mbetet i vendosur për t’u bërë një lojtar i padiskutueshëm për Xavi Hernándezin.

Sulmuesi zbarkoi te Barça pasi klubi katalan i pagoi Manchester City-t 55 milionë euro, plus 10 në variabla. Në gjashtë muajt e tij të parë si lojtar i Barçës, Ferran ishte titullar i padiskutueshme. Futbollisti i përfaqësueses spanjolle luajti 26 ndeshje, shënoi 7 gola dhe dha 6 asistime, me një mesatare 0.27 gola për ndeshje.

Nga ana tjetër, në këtë sezon, pas ardhjes së Lewandowskit dhe Raphinhas dhe me rikuperimin e Ansu Fatit, Ferran Torres ka humbur rëndësinë. Është grumbulluar në 17 nga 20 ndeshjet që Barça ka luajtur në La Liga, por në vetëm gjashtë ka luajtur, (639 minuta nga 1800).

Në fakt, ndeshja e fundit ku ai u aktivizua titullar në kampionat daton më 8 nëntor, kur Barça vizitoi Osasunën (1-2). Sigurisht, nuk duhet të harrojmë se ai u sanksionua me dy ndeshje pas përplasjes fizike me Savic (Atlético).

Pavarësisht kësaj situate, sulmuesi ka fituar rëndësi te Barcelona me dëmtimin e Dembélésë. Ferran do të ketë minutat e tij, të paktën në këtë fazë të sezonit, dhe ai shpreson të përfitojë për të rimarrë rolin kryesor që kishte në muajt e tij të parë në “Camp Nou”.

Çfarëdo që të ndodhë, Ferran do të jetë  i kërkuar në Premier, ku ka lënë kujtime të mira si lojtar i Manchester City-t.

43 ndeshje të luajtura, 16 gola dhe 4 asistime në një sezon e gjysmë. Fushata e tij e parë, 20-21, ishte e jashtëzakonshme: 36 ndeshje, 13 gola. Ai ngeci në të dytën: 7 ndeshje, 3 gola, ndonëse pësoi një frakturë metatarsale, e cila e mbajti jashtë për dy muaj. Këto statistika janë mbajtur shënim nga klubet e Premier League-s.

Top Channel