“Messit as nuk i intereson për Parisin”, ish-futbollisti: Përse duhet rinovuar kontrata? Klubi do bllokohet!

08/02/2023 16:13

Drejtuesit e PSG vijojnë të këmbëngulin për të rinovuar kontratën me Lionel Messi. Argjentinasi nga ana tjetër ka oferta edhe nga Barcelona apo Amerika, mirëpo francezët kërkojnë të shijojnë të paktën edhe për një sezon magjinë e “pleshtit”.

Por, nuk mendon në këtë formë ish-futbollisti i PSG, Jerome Rothen i cili thekson se Messit nuk i intereson shumë skuadra dhe tifozët duke theksuar se sulmuesi nuk është i interesuar për projektin e kryeqytetasve.

Ndër të tjera, Rothen shtoi se klubi do ta ketë të vështirë të përballojë tre rroga si ato të Messit, Neymar dhe Mbappe pasi përndryshe rrezikojnë të bllokohen për shkak të Fair Play financiar.

“Të menaxhosh rinovimin e Messit së bashku me pagat e Mbappe dhe Neymar është e vështirë. Rrogat janë shumë të larta dhe nuk do të surprizohesha nëse klubi do të bllokohej për shkak të Fair Play-t financiar. Kostot financiare, pagat janë shumë të larta, mund të them të fryra.

Të gjitha këto e bëjnë idenë e rinovimit me Messin shumë të rrezikshëm. Pastaj nuk e kuptoj edhe pse Messi duhet të qëndrojë me PSG, nuk bën asnjë përpjekje për të bindur drejtuesit. Nuk falenderon kurrë tifozerinë, ul kokën dhe largohet menjëherë nga fusha kur mbaron ndeshja. Edhe kur feston një gol stadiumi bërtet emrin e tij, por nuk bën kurrë asnjë gjest për të falenderuar tifozerinë. Ai nuk kërkon të investojë tek projekti i PSG”, u shpreh Rothen.

Top Channel