Skandal te klubi ku u transferua Simoni, presidenti nën hetim për përdorim kokaine

06/02/2023 22:32

Skandal në Eintracht Frankfurt, klubi ku së fundmi u transferua portieri shqiptar Simon Simoni! Presidenti i klubit, Peter Fischer është vënë nën hetim për posedim dhe përdorim kokaine.

Një situatë që mund të jetë edhe më e rëndë pasi mësohet se djali 13-vjeçar i tij ka konsumuar së bashku me një shok drogën e gjetur në shtëpi.

Gruaja e Fischer ka ngritur alarmin, pasi ka vërejtur sjellje të çuditshme nga ana e adoleshentit. Në momentin e denoncimit kanë mbërritur kontrollet e autoriteteve dhe kanë gjetur, falë ndihmës së qenve narkokërkues, në shtëpinë e Fischer-it, edhe në ëmbëlsirën që konsumonte presidenti, gjurmë të lëndëve narkotike.

66-vjeçari Fischer është president i klubit që nga viti 2000 dhe është në mandatin e tij të tetë. Aktualisht ai nuk ka dhënë asnjë deklaratë për këtë çështje, por nëse akuzat do të vërtetohen, dorëheqja do të jetë e pashmangshme.

Top Channel