Konflikti në Ukrainë nuk mund të përkufizohet më si një “luftë hibride” tha sot ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov duke dënuar Perëndimin për dërgimin e miliarda dollarëve në armë e pajisje në mbështetje të Kievit.
Duke përshkallëzuar retorikën e vendit të tij, Lavrov tha se konflikti është tashmë një luftë thuajse konvencionale me Perëndimin.
Ai shtoi se Moska ishte e gatshme të negocionte me Ukrainën në muajt e parë të konfliktit por SHBA dhe kombe të tjera e këshilluan Kievin të vepronte ndryshe.
Ai bëri komentet gjatë një vizite në Afrikën e Jugut, që ishin të ngjashme me ato të bëra nga presidenti Vladimir Putin më herët.
SHBA dhe aleatët kanë thënë se Moska nuk është serioze për negocjatat për t’i dhënë fund luftës, e cila së shpejti shënon një vit nga nisja.
“Dihet se ne kishim mbështetur propozimin e palës së Ukrainës për negocjata në fillim të operacionit special ushtarak në mars dhe dy delegacionet ranë parimisht dakord për konfliktin”, tha Lavrov.
“Dihet gjithashtu se u tha haptazi se kolegët tanë amerikanë, britanikë dhe disa vende evropiane i thanë Ukrainës se është ende herët për të negociuar, dhe Kievi nuk iu rikthye më marrëveshjes”, tha ai.
Lavrov ishte në Pretoria për bisedime me homologen Naledi Pandor teksa Rusia synon të forcojë lidhjet me aleatin e saj të vjetër, vendin më të zhvilluar të Afrikës.
Pandor tha nga ana e saj: “Ne jemi të ndërgjegjshëm se konfliktet kudo ku zhvillohen kanë pasoja negative për vendet në zhvillim, veçanërisht në kontinentin afrikan”.
“Prandaj Afrika e Jugut përsërit se kërkon zgjidhje paqësore të konfliktit”, shtoi ajo.//IBC.co.uk
Top Channel