Juventusi, me president të ri: Do të punojmë për një të ardhme të denjë për lavdinë e këtij klubi

18/01/2023 16:02

Mbledhja e aksionarëve të Juventusit i ka ndezur dritën jeshile bordit të ri të drejtorëve të shoqërisë. Do të jenë pesë drejtorë dhe ata do të qëndrojnë në detyrë për tre vjet deri në asamblenë që do të miratojë buxhetin për vitin 2025.

Bordi i ri do të përbëhet nga: Gianluca Ferrero, si president, Maurizio Scanavino (drejtori i përgjithshëm aktual), që do të marrë postin e drejtorit menaxhues, Laura Cappiello, Diego Pistone dhe Fioranna Vittoria Negri.

“Do të gjesh një fans të madh tek unë”, ishin fjalët e Andrea Agnellit, para se t’i dorëzonte pasardhësit, së bashku me Pavel Nedved, fanellën bardhezi me numrin 1 dhe emrin Ferrero.

“Ne do të punojmë për të ndërtuar një të ardhme për Juventusin, e denjë për të kaluarën e lavdishme 125-vjeçare, e cila e ka bërë këtë klub një lavdi sportive, klubin më të fortë në futbollin italian”,  deklaroi fillimisht presidenti i sapozgjedhur, Gianluca Ferrero.

“Sot mora detyrën e presidentit të Juventusit me shumë emocion, por edhe me shumë krenari. Në daljen time të parë publike, një mendim falënderimi i fortë për presidentët që më paraprinë, me të cilët kalova edhe pjesë të jetës, në veçanti për Andrea Agnellin, i cili sot donte të më dhuronte këtë fanellë të bukur, të cilën shpresoj ta respektoj dhe ta nderoj ashtu siç e meriton, ndaj faleminderit Andrea”.

Top Channel