Tërmeti me magnitudë 4.7 të shkallës Rihter shkundi Shqipërinë në orën 22:37 gjatë mbrëmjes të së dielës, ndërsa u pasua nga 8 pasgoditje gjatë natës dhe mëngjesit.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave raportohet se epiqendra e tërmetit ishte 3 kilometra në jug të Klosit, prapa Malit të Dajtit, ndërsa lëkundjet janë ndjerë më së shumti në Dibër, Tiranë, Durrës dhe Lezhë.
12 shtëpi raportohen të dëmtuara në Klos, aty ku ishte edhe epiqendra, ndërsa ekipet janë në terren.
Pas tërmetit të mbrëmjes së djeshme, Shtabi i Emergjencave Civile është mbledhur në Bashkinë Klos.
Në Durrës raportohet se disa lagje kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërkohë në qytetet e tjera të vendit është raportuar se lëkundjet e tërmetit ishin të forta dhe kanë ngjallur panik tek qytetarët.
Një pjesë e qytetarëve të kryeqyetit e kanë kaluar natën jashtë, për shkak të panikut dhe lëkundjeve të tjera.
Të rritur, të moshuar e fëmijë u përfshinë nga paniku gjatë orës 22:37, kur vendi u përfshi nga lëkundje tërmeti.
“Shumë i fortë ishte, frikë kemi se nuk i dihet bo vaki ka edhe goditje të tjera, që në 2019 kemi probleme”, tha banorja.
“U trembëm, pallati ka pësuar shumë dëmtime, plasaritje, tani sa e pashë”, tha një banor tjetër.
“U tmerruam sa kishim rënë në gjumë, thamë se na zu brenda, shtëpia është çarë, ka ra tavani”, tha banorja.
“Kemi dalë përjashta krejt, ka bërë dëmtime”, tha një e moshuar.
“Jashtë e kaluam, nga frika dridhjet, nuk rrinim dot Brenda, grupet nuk kanë ardhur akoma”, tha një banor.
“Kemi dalë jashtë”, tha një tjetër banor.
Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të plotë shërbimet e emergjencës dhe u bën thirrje qytetarëve që për çdo problematikë të sinjalizohet në numrin 112 ose zjarrfikësit në numrin 128.
Top Channel