Faza e parë e kampionatit në Francë u mbyll me disfatën e PSG në transfertën e Rennes, duke rihapur totalisht edhe llogaritë për titullin kampion.
Skuadra e Galtier u mposht minimalisht 1-0 në “Roazhon Park”, një rezultat i cili çoi ujë në mullirin e Lens dhe Marseille, pasi tani, diferenca e PSG dhe vendit të dytë, Lens është vetëm tri pikë.
Dy humbje në harkun e 15 ditëve dhe tani kampionët e Francës kanë nevojë për një autokritikë të fortë, ndërsa kjo humbje nuk ka lënë shije të mirë te drejtuesit e klubit.
Sezoni është ende i gjatë, një fazë e dytë e gjitha për t’u zhvilluar, ndërsa në Francë bëjnë me dije se e ardhmja e Galtier tani nuk është shumë e sigurt dhe gjithashtu kanë raportuar se parizienët janë bërë gati edhe për një lëvizje të bujshme në merkato dhe bëhet fjalë për Dembele.
Sulmuesi i Barcelonës mbetet një dëshirë e drejtuesve, por për të arritur te ai nuk është e lehtë, ndërsa “komoditetin” e Galtier po e trazon Zinedine Zidane.
Janari po rezulton i vështirë për kryeqytetasit, ndërsa muaji shkurt rezervon edhe takimin ndaj Bayern Munich në Champions League dhe në rast eliminimi, Galtier do të ishte pothuajse i shkarkuar dhe në Francë janë të bindur se nëse ndodh diçka e tillë, pasuesi do të jetë Zidane.
Nëse flasim për merkato, me kalimin e ditëve po përforcohen zërat e largimit të Neymar, i cili ndaj Rennes zhvilloi një nga ndeshjet e tij më të dobëta dhe klubi gjatë kësaj kohe ka punuar në heshtje për të siguruar shërbimet e Dembele.
Fillimi i fazës së dytë kërkon një reagim të menjëhershëm, ndërsa dueli ndaj bavarezëve pritet të jetë testi kryesor jo vetëm për skuadrën, por edhe për trajnerin Christophe Galtier pasi drejtuesit e parizienëve kërkojnë me çdo kusht trofeun e Champions League dhe askush në klub, nuk mund të justifikohet vetëm me kampionatin, që tani është vendosur seriozisht në pikëpyetje./ Super Sport
Top Channel