Kombëtarja shqiptare nisi një cikël të ri teksa në stolin e saj është ulur një trajner i ri, Sylvio Mendes Campos Junior, i njohur ndryshe si Sylvinho.
Braziliani 48 vjeçar mori vendin e Edoardo Rejës të cilit i skadoi kontrata në 30 nëntorin e 2022 duke u larguar nga kuqezinjtë pas 3 sezonesh e gjysmë me italianin që nuk i fshehu emocionet e tij.
Edoardo Reja, ish-trajerni i Kombëtares: Jam jashtëzakonisht i emocionuar. Çdo rrugëtim ka një fund, por do doja të nënvizoja rezultatet e arritura, që nuk janë për t’u lënë mënjanë. Kemi bërë të luajnë rreth 40 lojtarë, kemi arritur rezultate pozitive dhe ishim shumë afër kualifikimit në Botëror. Për një pikë mund të arrinim në ‘play-off’ për të shkuar në Botëror. Po largohem, por po lë pas këtu një pjesë të zemrës time.Dua të falënderoj presidentin Duka për këtë mundësi.Largohem me kokën lart dhe i kënaqur.
Më pas ishte momenti i prezantimit të Sylvinhos ku fillimisht foli presidenti i FSHF Armand Duka që shpjegoi arsyet se përse u përzgjodh braziliani që vjen në stolin kuqezi pas 3 kolegëve italianë
Armand Duka, president i FSHF: Kur kemi diskutuar me Sylvinhon, në Milano, kemi diskutuar projektet tona. Kam menduar që është zgjedhje e duhur, për ne për të marrë atë që duhet dhe për trajnerin për të qenë në një shkallë më lart në karrierën e tij. Nuk jemi nisur nga nacionaliteti, por nga cilësitë e kandidatit dhe ato njerëzore. Të tre njerëzit që kemi në panel janë me përvojë evropiane me ekipe shumë të mëdha, kanë eksperiencën e duhur për ta ndihmuar kombëtaren tonë. Dikush më tha se ata kanë luajtur me Zotin, por kush është Zoti? Messi. Ata kanë luajtur me Messin dhe tregon që kanë shumë njohuri për futbollin.
Më pas e mori fjalën trajneri i ri i Kombëtares shqiptare Sylvinho, që ka nënshkruar një kontratë 18 mujore deri në 2024, me 48 vjecarin që shprehu besimin së do të bëjë një punë të mirë për arritjen e objektivit të kuqezinjve, kualifikimi për në Euro 2024
Sylvio Mendes Campos Junior, trajner i Kombëtares: FSHF më bindi të merrja përsipër këtë punë. Jemi të kënaqur, besoj se do bëjmë një punë të mirë. Futbolli ndryshon, gjithçka ndryshon në nivele të larta. Jemi këtu për të dhënë maksimumin, do të zgjedhim lojtarët që do japin maksimumin për këtë fanellë.Grupi i eliminatoreve të Euro 2024 është shumë i ekuilibruar, nuk do të jetë e thjeshtë për asnjë, por ne duam të kualifikohemi. Erdha këtu që t’i jap vazhdimësi punës së trajnerit Reja
Në stafin e Sylvinhos është një tjetër emër i dëgjuar i futbollit argjentinas dhe europian, ish-lojtari i Manchester Cityt, Pablo Zabaleta që theksoi se shqiptarët ashtu si argjentinasit e duan shumë futbollin
Pablo Zabaleta- zv.trajner i kombëtares: Te Shqipëria shoh atë që shoh te tifozët e Argjentinës. Ky vend e dashuron futbollin, kjo është arsyeja pse jemi këtu. Duam të sjellim eksperiencën tonë. Shqipëria ka lojtarë me potencial të lartë. Disa prej tyre luajnë luajnë në Angli, Spanjë dhe Itali. Mbi të gjitha duhet të kemi mentalitetin e duhur. Lojtarët duhet të kenë besim te vetja e tyre, duhet të jenë të bindur që do të sjellin sukses.
Sylvinho do të bëjë debutimin e tij si trajner i kombëtares shqiptare në 27 mars me ndeshjen ndaj Polonisë, me të cilën skuadra jonë kuqezi do të hapë kualifikueset e Euro 2024, nëse përpara kësaj ndeshjeje nuk do të finalizohen edhe tratativat për një ndeshje miqësore po në muajin mars.
Top Channel