Conte flet pas barazimit në transfertë: Duhet punë për t’u bërë kampion!

26/12/2022 18:02

Tottenham nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 në transfertë ndaj Brentford, madje të besuarit e trajnerit Antonio Conte mund të kishin dalë edhe pa pikë duke qenë se panë veten në disavantazhin e dy golave.

Megjithatë, Kane dhe Hojbjerg shmangën disfatën për Spurs që synon një nga katër vendet e parë të Premier League për të siguruar kualifikimin në Champions League sezonin e ardhshëm. Sakaq, pas sfidës, trajneri Conte theksoi se për t’u shndërruar në kampionë duhet të ndryshojnë shumë aspekte ndërsa foli edhe për rëndësinë e Kane në skuadër.

“Kane kishte një program të veçantë pasi u kthye nga Botërori, ka qenë shumë i zoti dhe e ka ndjekur në mënyrë perfektë atë. Ai e njeh rëndësinë që ka për skuadrën, e di shumë mirë edhe se cili është personaliteti dhe karakteri i tij. Për ne është një lojtar shumë i rëndësishëm dhe jam i lumtur që gjeti rrugën e rrjetës. Mund edhe ta kishim fituar ndeshjen, Kane u ndal nga traversa por në atë moment mbrojtësi u tregua i fortë fizikisht.

Megjithatë, bëhet fjalë për ndeshjen e parë pas më shumë se një muaji. Objektivi Champions? Për t’u bërë kampionë duhen ndryshuar shumë aspekte. Jemi në katër vendet e parë, por ju kujtoj se për momentin aty nuk janë emra si Liverpool, Chelsea apo Manchester United, pra do të jetë e vështira gara për Champions”, u shpreh Conte.

Top Channel