Manchester United i “fiksuar” pas kampionit të botës, por çmimi mbetet problemi kryesor

26/12/2022 13:02

Performanca e treguar në Katar 2022 ka bërë që Benfica të “fërkojë duart”, kjo pasi vlera e talentit Enzo Fernandez është rritur ndjeshëm.

Mesfushori, i cili në Katar u shpall edhe kampion bote sot ka një vlerë rreth 120 milionë euro dhe për shërbimet e tij interesohen disa skuadra, por së fundmi, mediet angleze bëjnë me dije se i vetmi klub i cili është në gjendje të përballojë kartonin e tij është vetëm Manchester United.

21-vjeçari po zhvillon sezonin e tij të parë në “kontinentin e vjetër” dhe me Benfica-n ai numëron 24 ndeshje dhe tre gola, por kreditet u rritën ndjeshëm pas Botërorit dhe tani trajneri Erik ten Hag e kërkon me çdo kusht në organikën e tij.

Nga ana tjetër, drejtuesit portugezë të Benfica-s kanë bërë me dije se çmimi nuk ndryshon dhe nuk do të ulen në bisedime me asnjë klub që ofron apo pretendon të ofrojë më pak se shuma që ata kërkojnë, pra 120 milionë euro.

Drejtuesit e Manchester United po bëjnë gati terrenin për të nisur negociata, ndërsa në ishull janë të mendimit se asgjë nuk do të jetë e lehtë dhe pritet që ky operacion të përfundojë në merkaton e verës, pasi për momentin vështirë se mund të kompletohet, por shanset dhe pse minimale mbeten aty, për një transferim “bombë” në muajin janar./ SuperSport

Top Channel