Universitetet jo vetëm kanë dështuar me mësimdhënien on line gjatë pandemisë, por edhe kanë qenë në shkelje të ligjit të arsimit të lartë, i cili nuk e njeh këtë formë studimi në distancë.
Këto janë gjetjet e raportit të Kontrollit të lartë të shtetit, gjatë auditimit në 5 institucione arsimore, Universitetin Politeknik të Tiranës, Universitetin Aleksandër Xhuvani të Elbasanit, Universitetin Ismail Qemali të Vlorës, Universiteti “Eqerem Çabej të Gjirokastrës dhe Universiteti “ Fan S. Noli” të Korçës nga marsi i vitit 2019 deri në dhjetor të 2021.
Disa nga problemet më të shumta të ndeshura në përshtatjen e universiteteve me proceset mësimore on line janë integrimi jo i plotë i studentëve në orën e mësimit, mungesa e pajisjeve si, kompjuterë, telefona dhe e linjës së internet; Trajnimi i stafit në moshë në lidhje me përdorimin e TIK në mësimdhënie; Krijimi i një formati unik të regjistrimit elektronik të frekuentimit dhe vlerësimit të vazhduar të studentëve, i aksesueshëm nga stafi akademik dhe stafi vendimmarrës; Ndërtimi i laboratorëve virtual.
Më tej, KLSH thekson se procesi mësimor on line shfaqi mangësi në drejtim të pamundësisë për t’u monitoruar. Matja e cilësisë së mësimit në distancë u bazua tek vetëdeklarimi i secilit pedagog pas zhvillimit të procesit mësimor. Universitetet nuk kishin platforma elektronike të unifikuara por aplikuan disa të tilla si Google Classroom, Teams dhe Zoom, të cilat nisur edhe nga përgjigjet e pyetësorëve paraqitën vazhdimisht problematika teknike. “Mospërdorimi i mëparshëm i kësaj forme studimi në distancë, e ka vendosur arsimin tonë të lartë jo në linjë me standartet mësimore ndërkombëtare të e–learning”, thuhet në raport.
Nga auditimi del në pah se universitetet dogjën deri në 30% të buxheteve të tyre duke mos i përdorur fondet kundrejt nevojave që diktoi pandemia për mësimin on line. Shkeljen më të madhe rezulton se e ka bërë Universiteti i Elbasanit me 29% të mosrealizimit të fondeve dhe më pas renditet Universiteti Politeknik I Tiranës me 21%.
Edhe buxhetet janë keqmenaxhuar me kryerjen e pagesave të panevojshme në një periudhë izolimi, kur mund të përdoreshin në mbështetje të studentëve dhe pedagogëve. Ndër të tjera, Kontrolli i lartë I shtetit shfaq kritika edhe për koordinimin jo të mirë ndërinstitucional ndërmjet Ministrisë së arsimit dhe asaj të shëndetësisë me universitetet..
Top Channel