Ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugëve kryesore në Shqipëri janë dhënë me koncesion, sipas formulës shpesh herë mjaft të debatuar e quajtur Partneritet Publik Privat.
Le të ndalemi konkretisht për të analizuar disa prej kontratave më abuzive. Kompania “Fusha”, mblodhi rreth vetes shtatë subjekte të tjera dhe u shpall fituese e koncesionit 35-vjeçar për projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e segmentit Lekaj-Konjat-Fier.
Këto kompani parashikohet që të arkëtojnë rreth 1.3 miliardë euro gjatë zbatimit të kontratës, për një rrugë që në fakt në mbi 90 % është e ndërtuar dhe me standarde. Ajo që e bën më të rëndë është fakti se në garë kishte vetëm një ofertë. Pra, të gjitha dyshimet janë për garë të paracaktuar.
Konkurrentët e mundshëm u bashkuan rreth kompanisë “Fusha” për të ndarë fitimet. Koncesioni bën fjalë për një rruge me gjatësi 46 kilometra me një vlerë investimi prej 320 milionë euro pa TVSH. Në fakt, aksi, pjesë e korridorit blu, nuk është aspak një rrugë e re. Praktikisht i bie që vetëm 3,2 kilometra të jenë rrugë e re e ndërtuar nga fillimi pasi pjesa tjetër kalon në aksin ekzistues. I vetmi përmirësim në aksin ekzistues është një korsi emergjence 20 kilometra.
Rruga Rrogozhinë-Lushnje është një segment i përfunduar vetëm disa vite më parë. Edhe Lushnjë-Fier, rezulton me standardet që kërkon projekti i “Korridorit Blu”.
Kostoja e përllogaritur e projektit do të shkojë në plot 7 milionë euro për kilometër. Pa harruar faktin që këto para, hidhen për një rrugë të ndërtuar në pjesën dërrmuese. Jo vetëm kaq, por për koncesionarin janë parashikuar arkëtime të sigurta nga shteti për trafikun e munguar. Pagesa pritet të kushtojë 2 euro. Pra, në të ardhmen, çdo qytetar duhet të llogarisë një kosto shtesë prej 4 eurosh vajtje-ardhje nëse udhëton, fjala vjen, nga Tirana në Fier.
Por, nuk mund të lejohet në mënyrë kategorike vendosja e një tarife kalimi nëse nuk ka një rrugë alternative. Në rastin konkret, rruga alternative mungon dhe qytetarët nuk mund të detyrohen të paguajnë koncesionarin.
Top Channel