Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkovic, i cili tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.
Një vendim i tillë, sipas tij, do të merrej në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, përkatësisht nenin 4 dhe nenin 6 të aneksit 2. Duke i ka konsideruar këto deklarata si kërcënime të hapura për agresion policor dhe ushtarak, Osmani ia dha përgjigjen: Në Kosovë, tha ajo përmes një postimi në FB, nuk do të ketë më kurrë policë e ushtarë të Serbisë.
“Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999. Plagosja e mbrëmshme e një pjesëtari të Policisë së Kosovës është veprim kriminal dhe i orientuar kundër rendit kushtetues e sovranitetit të Kosovës si dhe kundër veprimeve për sundim të rendit e ligjit. Autorët e këtyre krimeve, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërsa institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë. Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë!“- shkroi Osmani në rrjetet sociale.
Njësitë në detyrë të Kosovës u sulmuan nga persona te armatosur që lëviznin me një makine me targa KM, thanë burime policore. Sipas autoriteteve shëndetësore, efektivi i lënduar është jashtë rrezikut për jetën. Ditët e fundit kanë shtuar ndjeshëm incidentet në veri të Kosovës, teksa po afron data e përcaktuar e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat me shumice serbe atje, Mitrovicë e Veriut, Leposavic, Zveçan dhe Zubin Potok – zgjedhje këto qe kundërshtohen nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Top Channel