Disa tifozë që kanë shkuar në Katar për të mbështetur ekipet e vendeve të tyre që po marrin pjesë në Kampionatin Botëror të futbollit, thonë se është e vështirë të sigurosh një biletë për të parë ndeshjen.
Kjo po i detyron ata të paguajnë çmime shumë të shtrenjta në tregun e zi, që arrijnë deri në 1 mijë dollarë për biletë.
Tifozët e zjarrtë të futbollit kanë shkuar në Katar për të ndjekur nga afër Botërorin dhe për të mbështetur ekipet e vendeve të tyre. Të pyetur nga Zëri i Amerikës, shumë tifozë thonë se kanë vështirësi në gjetjen e biletave me çmime të arsyeshme.
“Për ndeshjen Argjentinë – Poloni, biletë që FIFA i ka vënë çmimin 70 dollarë, në treg të zi shitej për 800 dollarë”, thotë tifozi argjentinas Matias Morosina.
Ky është çmimi i fryrë i biletës që Morosina dhe shumë të tjerë duhet të paguajnë. Shumë tifozë të tjerë thonë se nuk kanë qënë në gjendje të blejnë bileta në faqen zyrtare të FIFA-s, madje edhe kur ato janë të disponueshme.
Zëri i Amerikës ishte dëshmitar i problemit, dështim pas dështimi pas shumë përpjekjesh për të blerë bileta në rrjet, që supozohet se ishin të disponueshme.
Kjo ka detyruar tifozët të drejtohen tek tregjet e dyta të rishitjes, pavarësisht se i vetmi treg i autorizuar është ai në faqen e internetit nga FIFA. Tregjet e dyta si Ticombo dhe Stub Hub International, ofrojnë bileta me çmime shumë më të larta.
Në varësi të ndeshjes, biletat shkojnë deri në 1000 dollarë – disa herë më shumë se çmimi origjinal.
Shumë njerëz blejnë bileta me çmim të ulët dhe i shesin me çmime shumë më të larta, në hyrje të stadiumeve. Biletat jo vetëm që janë të kushtueshme, por në disa raste janë të falsifikuara.
“Jam kundërshtar absolut i këtyre tregtarëve dhe blerja nga ata është pikërisht ajo që e nxit këtë fenomen”, thotë për Zërin e Amerikës tifozi nga Kolumbia Andrés Vidal.
Faqja e internetit e FIFA-s thotë se shitjet e minutës së fundit të biletave të Kupës së Botës përpunohen në kohë reale dhe shiten tek blerësi i parë. Ndërsa tifozët shprehin zhgënjimin, shumë thonë se janë të gatshëm të paguajnë shumë më tepër se çmimi zyrtar për të ndjekur në stadium ndeshjet e ekipeve të tyre.
“Pavarësisht çmimit do të shkojmë të mbështesim ekipin tonë dhe botën arabe”, thotë tifozja marokene Nargez Salahi.
Çmimet e larta nuk do ta ndalin këtë grup tifozesh femra me të cilat bisedoi Zëri i Amerikës pas fitores së Marokut ndaj Kanadasë.
“Marokenët për Marokun. Kënaqësi që marrim pjesë në këtë ndeshje”, thotë tifozja marokene Nawi Amina.
Edhe ata që arritën të blejnë bileta me çmimin zyrtar do të paguajnë 40% më shumë se katë vjet më parë në Botërorin në Rusi, sipas një studimi nga Keller Sport. Raporti thotë se ndeshjet në Katar janë më të shtrenjtat ndonjëherë./Voa
Top Channel