Xherdan Shaqiri: Yakin na befasoi, por ne i pranojmë zgjedhjet e trajnerit

07/12/2022 10:49

Zvicra u eliminua nga Kupa e Botës, Katar 2022, me skuadrën e Yakin që u mposht thellë nga Portugalia me rezultatin 6-1.

Në fund të sfidës, Xherdan Shaqiri tregoi se ai dhe skuadra u surprizuan nga ndryshimet e Yakin pak minuta para ndeshjes.

“Është gjithmonë e vështirë të analizosh një humbje. Ndaj Portugalisë ne ndryshuam planet tona, por ky ndryshim nuk dha fryte, ne nuk u shprehëm në mënyrën tonë edhe pse ishim përgatitur mirë. Ishim të vetëdijshëm për vështirësitë dhe forcën e kundërshtarit. Duhet të pranojmë zgjedhjet e trajnerit tonë, edhe nëse jemi pak të befasuar. Tani, thjesht duhet të urojmë një ekip të madh si Portugalia. Në raundin me eliminim direkt, çdo gabim i vogël të ndëshkon.”- tha Shaqiri.

Mesfushori 31-vjeçar, në këtë përballje barazoi Geiger në listën e lojtarëve me më shumë prezenca te Zvicra me 112 ndeshje dhe qëndron 6 ndeshje larg vendit të parë, Heinz Hermann.

Top Channel