“Revolucion” te Spanja! Luis Enrique me valixhe gati, zbulohet pasuesi i tij

07/12/2022 10:16

Spanja dështoi përballë Marokut dhe i dha lamtumirën Kupës së Botës për herë të dytë radhazi në raundin e 1/8-ve.

Edhe në Rusi 2018, kombëtarja iberike eliminohej pas goditjeve të penalltive nga Rusia vendase, ndërsa të martën u përsërit e njëjta situatë duke dështuar nga pika e bardhë përballë “Luanëve të Atlasit”.

Përveç triumfit 7-0 në takimin e parë ndaj Kosta Rikës, Spanja dha fare pak në takimet e tjera duke e merituar largimin nga Botërori. Trajnerit Luis Enrique i mbaron kontrata dhe drejtuesit e Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) nuk kanë ndërmend t’i ofrojnë një akord të ri.

Sipas Cadena SER, në krye të listës së dëshirave të drejtuesve të futbollit iberik, të cilët mendojnë se është i nevojshëm një ndryshim në stol, gjendet Marcelino, 57-vjeçari që ka një eksperiencë të madhe në La Liga, aty ku ka drejtuar klube si Athletic Bilbao, Valencia, Villareal dhe Sevilla.

Ai fitoi Kupën e Mbretit me Valencian (2019) dhe Superkupën e Spanjës me Bilbaon (2021). Marcelino qëndron pushim prej muajit qershor pas ndarjes klubin bask, ndërkohë që ulja në pankinën e Kombëtares do të ishte realizimi i një ëndrre.

Top Channel