Të blesh një apartament në kryeqytet po bëhet gjithnjë e më e vështirë, në një kohë që çmimet rriten me shpejtësi dhe pagat mbeten në vendnumëro.
Por, sa vite pune i duhen një individi me një pagë mesatare që të blejë një shtëpi në kryeqytet? Referuar Indeksit të Pronave publikuar nga Keydata Albania, çmimi mesatar i një apartamenti në Tiranë llogaritet në rreth 1200 euro/m2 në fund të 9-mujorit 2022, ndërsa paga mesatare është 60.6 mijë lekë.
Nëse marrim një apartament me sipërfaqe 80 m2 me çmimin mesatar 1200 euro m2, apartamenti do të kushtonte 96 mijë euro, ose 11.2 milionë lekë, duke supozuar se 30% e të ardhurave do të shkojnë për kredinë për blerjen e banesës.
Nga këto llogaritje, individit i duhet që ne vit të paguajë 1 850 euro për kredisë. Për blerjen e këtij apartamenti 80m2 duhen gati 52 vite punë.
Por, nëse një çift i ri të dy me pagë mesatare 60.6 mijë lekë duan të blejnë një apartament po me këto të dhëna duke e marrë me kredi atë, do të duhet që 30% të tyre ta çojnë për këstet e kredisë. Pra, gati 3600 euro çdo vit për shlyerjen e saj dhe shtëpia mund të bëhet e tyre pas gati 26 vitesh.
Nëse kthehemi pas në kohë në vitin 2015 kur çmimi mesatar i një apartamenti ishte gati 870 euro/m2, këtij çifti shtëpia do ti kushtonte shumë më pak para, gati 69.6 mijë euro.
Duke marrë parasysh se paga mesatare ishte vetëm 47.9 mijë lekë, 410 euro dhe gati 30% e të ardhurave totale të tyre do të shkonte për kredinë e banesës, në total ata do të mund ta shlyenin plotësisht kredinë për 23 vite.
Pavarësisht rritjes së pagave, dukshëm nuk i përgjigjen shtrenjtimit të fortë të çmimeve të apartamenteve, duke bërë që të rritet ndjeshëm me vite koha e blerjes së një banese.
Top Channel