“Shqipëria e ka bërë zgjedhjen modeste”/ Rama në OKB: AI s’do të vendosë nëse ky shekull i përket lirisë apo manipulimit

25/09/2026 19:59

Kryeministri Edi Rama deklaroi në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se inteligjenca artificiale nuk do të përcaktojë vetë të ardhmen e njerëzimit, por se vendimi do të jetë në duart e njerëzve dhe institucioneve.

Rama foli gjithashtu për lirinë e shprehjes dhe raportin e saj me përdorimin e teknologjisë, duke theksuar se liria e shprehjes nuk duhet të ngatërrohet me përdorimin e pakontrolluar të teknologjisë dhe pushtetit.

“Në mënyrë të fshehtë, për ta, nga dikush që as nuk mund ta shohin, e as nuk e dinë që është fuqi pa zgjedhjen e tyre. Inteligjenca Artificiale nuk do të vendosë nëse ky shekull i përket lirisë apo manipulimit. Ne do ta vendosim. Makinat do të binden. Pyetja është: kujt do t’i binden? Sipas cilit ligj dhe në shërbim të cilit qëllim njerëzor?

Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e vet modeste. Ne kemi zgjedhur përshpejtimin, jo dorëzimin. Kemi zgjedhur inovacionin, jo abdikimin. Kemi zgjedhur rritjen dhe jo atrofizimin e aftësisë njerëzore.

Kemi zgjedhur lirinë e shprehjes. E pikërisht sepse kemi zgjedhur të refuzojmë ta ngatërrojmë me lirinë e pakontrolluar të makinave, parave dhe pushteteve të huaja për të mbërritur te gjithkush, gjithkund, pa asnjë llogari.

Ne zgjedhim të vërtetën, sepse e vërteta s’është gjithmonë e lehtë apo e rehatshme, sepse pa një angazhim të përbashkët ndaj realitetit nuk mund të kemi një jetë të përbashkët publike.

E pa këtë angazhim prej të gjithëve ne ndaj realitetit të botës ku jetojmë, do të jemi të angazhuar, do të përfshihemi në tradhtinë më të tmerrshme që prindërit e kësaj bote, në historinë e njerëzimit, do të kenë bërë kundër fëmijëve të tyre.

E pa një botë të përbashkët nuk mund të ketë Kombe të Bashkuara. Këtu përfundon predikimi im nga shkretëtira dhe shpresa që kam, që është, në fakt, fundi i fundit, mbështetja”, u shpreh Rama.

Top Channel