“Çfarë ndodh me një pasuri pasi sekuestrohet dhe kush paguan për ta përfunduar një objekt kur investitori ka falimentuar ose nuk ekziston më?”
Paqartësinë për fatin e një objekti të konfiskuar nga shteti kur investitori falimenton, deputeti socialist Damian Gjiknuri e ngriti në Komisionin e Ligjeve gjatë shqyrtimit të projektligjit për pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara. N
dërsa ndryshimet ligjore do të shtrijnë efektin edhe tek pasuritë që konfiskohen nga pushteti vendor, duke mundësuar rikthimin në komunitet të pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme, kryeadministratorja e AAPSK garantoi krijimin e një fondi të posaçëm për përfundimin e tyre.
“Në eksperiencën që kemi aktualisht, kemi arritur eksperiencën e mjaftueshme për të menaxhuar shoqëritë e ndërtimit. Kemi 5 shoqëri ndërtimi që i kemi në proces administrimi dhe po finalizojmë procedurat e dorëzimit të pasurive. Nuk ka njerëz që kanë blerë pasuri dhe janë zhgënjyer nga ky proces. Kemi një eksperiencë të ngjashme. E parashikuar te ligji 66 dhe te fondi i posaçëm nga ndërtimet pa leje do mbushet me të ardhura, do paguhen parablerësit, praktikisht do kemi të ardhura. Që para 3 viteve vlerësimi që u bë 15 milionë euro dhe fondi do mbushet”, tha Reisena Xhaja, kryeadministratorja e AAPSK.
Nëse fondi nuk do të mjaftojë për financimin e projektit, agjencia parashikon të kalojë në sekuestrimin e pasurive të investitorit, zhvilluesit apo subjekteve përgjegjëse, ndërsa punimet do të realizohen përmes prokurimit publik.
“Nga ky fond, nëse s’do ketë mundësi financiare investitori, zhvilluesi, kolauduesi, ne do kalojmë në sekuestrimin e pasurive të tyre. Kemi menduar si formulë. Procedurat e tjera më pas do të kryhen nëpërmjet prokurimit publik, nëpërmjet OBP”, tha Reisena Xhaja, kryeadministratorja e AAPSK.
Nga ana tjetër, opozita kërkoi gjithashtu që ligji të fokusohet më shumë tek destinacioni përfundimtar i pasurive të sekuestruara.
Ndërsa ligji mori dritën jeshile në Komisionin e Ligjeve, ndryshimet e reja, duke filluar nga pallatet e mbetura përgjysmë, tek pasuritë që shiten në ankand dhe kriptomonedhat, synojnë t’i japin shtetit një rol më të drejtpërdrejtë në atë që ndodh me pasurinë pasi ajo konfiskohet.
Top Channel