Përmbledhja e Ligës së Kombeve/ Holanda dhe Portugalia nuk gabojnë në shtëpi, Greqia surprizon “Pancerat”
Trajneri i Portugalisë zbut tonet pas përplasjes së ditëve të fundit dhe lë të hapur mundësinë e rikthimit të Cristiano Ronaldos në kombëtare.
Jorge Jesus duket se po ul temperaturën në konfliktin me Cristiano Ronaldon. Pas fitores 2-1 ndaj Norvegjisë, rezultat që i siguroi Portugalisë një vend në çerekfinalet e Nations League, trajneri i kombëtares portugeze foli për situatën e krijuar me kapitenin. Jesus e cilësoi episodin si një “keqkuptim”, duke lënë të kuptohet se situata mund të zgjidhet. Më e rëndësishmja ishte mesazhi për të ardhmen e Ronaldos me Portugalinë: sipas trajnerit, vendimi i takon vetë sulmuesit.
Nëse Ronaldo vazhdon të luajë dhe dëshiron të jetë pjesë e grumbullimit të ardhshëm, Jesus nuk sheh pengesë. “Pse jo?”, ishte në thelb përgjigjja e tij, ndërsa theksoi se nuk ka mëri ndaj 41-vjeçarit. Sa i përket momentit kur mund të zgjidhet kjo situatë, Jesus pranoi se nuk e di. Për të, në atë moment rëndësi kishte vetëm ndeshja me Norvegjinë dhe sigurimi i kualifikimit.
Ronaldo ishte larguar nga grumbullimi i Portugalisë pas tensioneve me trajnerin dhe ishte kthyer në Arabinë Saudite, ku iu bashkua sërish stërvitjeve me Al Nassr. Jesus e kishte lënë kapitenin në stol, ndërsa Ronaldo ishte parë duke u përgatitur për të hyrë në lojë për rreth gjysmë ore. Përpara largimit të tij, sipas raportimeve në media, kishte pasur edhe një takim mes Ronaldos, Jorge Jesus dhe presidentit të Federatës Portugeze, Pedro Proença, në përpjekje për të menaxhuar situatën.
Tashmë, pas deklaratës së fundit të Jesusit, topi duket se është në fushën e Ronaldos. Trajneri e ka lënë derën hapur. Mbetet për t’u parë nëse kapiteni do të zgjedhë të rikthehet.
Top Channel