Ekonomia shqiptare shfaq tendenca rritëse edhe në tremujorin e dytë të vitit, por motorët kontributivë nuk funksionojnë njëlloj. Instituti i Statistikave për periudhën prill-qershor bëri të ditur se ky tregues arriti në 3.61%, nga 3.49% një vit më parë. Ndonëse fillimi i vitit 2026 ishte më pozitiv.
Kontributin më të madh në këtë rritje e kanë dhënë administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me 1.38% dhe taksat neto, ndonëse tremujori i dytë duhet të lulëzonte nga pesha e sektorëve që nxorën prodhimin vendas.
Pas tyre renditen tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor, ndërsa pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi kanë dhënë gjithashtu kontribut pozitiv.
Por në këtë panoramë ka edhe sektorë që tërheqin ekonominë në kahun e kundërt.
Bujqësia, pyjet dhe peshkimi kanë dhënë kontribut negativ prej 0.38%, ndërsa vetë aktiviteti i sektorit ra me 2.29% krahasuar me një vit më parë.
Në anën tjetër, konsumi i familjeve është rritur me 4.55%, ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve janë rritur me 9.78%.
Por ndërsa ekonomia rritet, edhe çmimet së bashku me to. Qeveria do të vërë në funksion javën e parë të tetorit platformën online me çmimet e rreth 160 produkteve të shportës ushqimore dhe të higjienës.
“Sa i përket Pasqyrës, është një nismë e re që kemi ndërmarrë. Ne jemi duke punuar për të ndërtuar platformën, e cila është në fazat përfundimtare të përgatitjes. Ne presim që në 10-ditëshin e parë të tetorit platforma të jetë live me një numër prej 160 produktesh. Jemi duke rakorduar me marketet kryesore listën finale të produkteve, e cila do të përbëhet nga produktet kryesore të shportës, ushqime dhe mallra që përdoren më së shumti nga familjet shqiptare”, tha Delinda Ibrahimaj.
Krahas ‘Pasqyrës së Çmimeve’, ministrja bëri të ditur se po punohet me rrjetet e supermarketeve dhe furnitorët edhe për një listë produktesh që do të tregtohen për tre muaj me çmime fikse dhe me fitim minimal.
Top Channel