Ronaldo apo Bruno Fernandes? FIFA u jep fund dilemave rreth autorit të golit

28/11/2022 21:20

Portugali-Uruguai është dueli më i bukur i ditës së sotme në Katar 2022. Luzitanët e nisën Botërorin me fitoren 3-2 ndaj Ganës, ndërsa dy herë kampionët e botës nuk shkuan më shumë se barazimi i bardhë ndaj Koresë së Jugut në debutimin në Katar.

Trajnerët Fernando Santos dhe Diego Alonso kanë zgjedhur titullarët e kësaj përballjeje. Skema taktike është e njëjta: 4-1-2-3. Dy ndryshime në mbrojtje te Portugalia, repart ku do e nisin nga minuta e parë “veterani” Pepe në qendër dhe Nuno Mendes në krahun e majtë. Santos i ka besuar një fanellë titullari William Carvalhos.

30-vjeçari i Real Betis, do të luajë si shkatërrues, ndërkohë që në sulm konfirmohen Joao Felix, Cristiano Ronaldo dhe Bruno Fernandes, me Rafael Leaon që e nis përsëri nga stoli si ndaj Ganës. Tri ndryshime në total edhe në formacionin e Uruguait. Trajneri Alonso ka ulur në stol dyshen sulmuese Luis Suarez dhe Facundo Pellistri, postet e të cilëve i zënë Edinson Cavani dhe Guillermo Varela.

Trajneri ka bërë një modifikim edhe në prapavijë. Në vend të Martin Caceres në krahun e djathtë, është spostuar Jose Maria Gimenez, vendin e të cilit në qendër të prapavijës përkrah kapitenit Diego Godin e plotëson Sebastian Coates i Sportingut të Lisbonës.

Kupa e Botës
Katar 2022
Grupi H

PORTUGALI-URUGUAI 1-0 (Bruno Fernandes 54′)

Kronika e ndeshjes:

60′ Reagon Uruguai me Darwin Nunez, goditja e sulmuesit të Liverpoolit nuk ka forcë.

54′ Goooooool! Portugalia në avantazh. Bruno Fernandes kroson nga e majta, CR7 devijon pak me kokë, 1-0 për skuadrën luzitane. FIFA i akordon golin fantazistit të Manchester United.

52′ Kundërsulm i Portugalisë, topi shkon te Joao Felix, sulmuesi i Atletico Madrid nuk shënjestron dot portën.

42′ Zëvendësim i detyruar për Portugalinë. 20-vjeçari i PSG-së, Nuno Mendes dëmtohet dhe largohet nga fusha, vendin e tij e zë Raphael Guerreiro i Borussia Dortmund.

32′ Rasti më i mirë i ndeshjes deri në këto momente. Inkursion i bukur i Rodrigo Bentancur, driblon tre kundërshtarë dhe del i vetëm përballë portierit Diogo Costa, i cili i mohon golin mesfushorit të Tottenhamit.

18′ Goditje dënimi për Portugalinë. Provon Cristiano Ronaldo, topi devijohet nga muri uruguaian.

16′ Tenton Joao Felix, devijon mbrojtja e Uruguait në këndore.

12′ Krosim nga e majta, provon me kokë Gimenez, topi mbi traversë.

4′ Cristiano Ronaldo ul bukur me shpatull një top për William Carvalho, ky i fundit gjuan fluturimthi, topi mbi tra.

3′ Mathias Olivera jep sinjalin e parë për Uruguain, e pasaktë goditja e lojtarit të Napolit.

FORMACIONET ZYRTARE

Top Channel