Miqësoret/ Triumfojnë Tirana dhe Kukësi, Mezani rikthehet me fitore te Laçi

27/11/2022 16:15

Tirana zhvilloi një takim miqësore sot në stadiumin “Selman Stërmasi”. Kampionët e Shqipërisë fituan 3-1 përballë Besës së Kavajës, ekip që bën pjesë në Kategorinë e Parë.

Redon Xhixha, braziliani Patrick dhe Dijar Nikqi realizuan golat e fitores për skuadrën bardheblu, që ndan kreun e renditjes në kampionat bashkë me Partizanin me nga 22 pikë.

Në kryeqytet u zhvillua edhe një miqësore tjetër. Kukësi u përball me Dinamon e Nevil Dedes në kompleksion “Skënder Halili”. Verilindorët e Enkeleid Dobit triumfuan falë golave të Klejdi Dacit dhe Jakup Berishës, ndërkohë që Taulant Marku ishte autori i golit për 18 herë kampionët e Shqipërisë.

Ditën e premte luajti edhe Laçi përballë Burrelit në Pezë Helmes. Vlonjati Gentian Mezani e nisi me fitore 1-0 aventurën e dytë në stolin e nënkampionëve të Shqipërisë, të cilët mposhtën minimalisht skuadrën matjane falë golit të nigerianit Michel Babatunde.

Takimet miqësore

TIRANA-BESA 3-1 (Xhixha, Patrick, Nikqi)
KUKËSI-DINAMO 2-1 (Daci, Berisha/Marku)
LAÇI-BURRELI 1-0 (Babatunde)

Top Channel