Gjiro Open Air, spektakli i fluturimit në Gjirokastër

27/11/2022 13:30

Gjiro Open Air, kampionati i përvitshëm i paragliding është duke u mbajtur prej disa ditësh në Gjirokastër dhe për herë të parë po shoqërohet edhe me aktivitete të tjera duke zgjeruar spektrin eventit që mbyllet çdo mbrëmje me muzikë live në qendër të pazarit. 

Këtë vit 45 pilotë nga 9 vende të ndryshme të botës po garojnë në fluturimet standarde ndërsa janë krijuar hapësira që spektakli i fluturimeve të ndiqet edhe nga publiku në hapësirën e aerodromit të Gjirokastrës.

Pilotë nga vende të ndryshme e çmuan eksperiencën si unike për shkak të mjedisit ideal të kodrave dhe luginës së Drinos mbi të cilën fluturohet.

“Është fantastike, është një sit tërësisht i ri dhe shumë i përshtatshëm për fluturime. Kur u nisëm nuk dinim shumë por zbuluam që ishte një event që vërtetë vlente, garë e organizuar sipas standardeve dhe një nivel i lartë konkurrence.”

“Qielli ishte fantastik. Era ishte disi e fortë në lartësi kështu që po presim edhe disa orë para se të fillojmë garën por vërtetë po kalojmë ditë të bukura këtu dhe si eksperiencë është shumë e veçantë.”

Gara do të mbyllet me shpalljen fituesve dhe me një Open Show për publikun që do të ftohet të marrë pjesë në fluturime përgjatë festave të Nëntorit.

Top Channel