Korçë/ Arrestohet 20-vjeçari, paketoi dhe fshehu në gomat e makinës pakot me kanabis që do të dërgoheshin në Greqi

17/11/2022 17:34
Foto ilustruese

Një 20-vjeçar është vënë në pranga, pasi ka bashkëpunuar për të transportuar drejt Greqisë 9.2 kg lëndë narkotike kanabis sativa.

I riu me iniciale E. B., banues në Voskop të Korçës, është i përfshirë në operacionin policor të koduar “Restart”, i cili u zhvillua më nëntë nëntor të këtij viti.

Sipas policisë rezulton se ai ka kryer ambalazhimin dhe fshehjen e 16 pakove me peshë 9.2 kg kanabis sativa, në dy gomat rezervë të automjetit tip “Benz”, që u ndalua në Pikën Kufitare të Kapshticës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme, ndërsa numri i të arrestuarëve ka shkuar në 28.

Njoftimi policisë:

Korçë/ Vijon operacioni policor antidrogë i koduar “Restart 12”, i zhvilluar tetë ditë më parë.

Vihet në pranga 1 tjetër shtetas, i përfshirë në tentativën për trafikim drejt Greqisë, të 9.2 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Shkon në 28 numri i të ndaluarve gjatë dymbëdhjetë fazave të operacionit “Restart”.

Në vijim të punës për dokumentimin e plotë me prova ligjore dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të implikuar në veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, në kuadër të operacionit “Restart 12”, të zhvilluar më datë 09.11.2022, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– E. B., 20 vjeç, banues në fshatin Voskop, Korçë.

Nga veprimet intensive hetimore të kryera për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, rezulton se ky shtetas, ka kryer ambalazhimin dhe fshehjen e 16 pakove me peshë 9.2 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, në dy gomat rezervë të automjetit tip “Benz”, me drejtues shtetasin S. Ç., i cili u ndalua në Pikën Kufitare të Kapshticës.

Nga ana e Policisë po vijon puna për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel