Një ish-zyrtare e klubit anglez të futbollit Manchester City është dërguar sot në burg pasi u konfirmua se ka vjedhur më shumë se 100,000 paundë nga klubi për të blerë dhurata dhe paguar fatura të dasmës së saj.
33 vjeçarja Fiona Barclay, e cila punonte si drejtore e zhvillimit të biznesit brenda ambjenteve të pritjes së klubit, kishte një rrogë prej 30,000 paundë në vit.
Por ajo u shkarkua kur u kuptua se po përvetësonte paratë nga arkat e klubit, duke vjedhur një total prej 104,000 paundë.
Tashmë Barclay, e cila është shtatzënë, po nis dënimin e saj me 18 muaj burg, teksa dhe gjykatësi i bëri të qartë me ironi se “Ke rënë nga kategoria!”.
Gruaja u përlot gjatë seancës në gjykatën e Manchester, ku u tha gjithashtu se alarmi ishte dhënë nga auditimi i brendshëm që zbuloi transaksione të dyshimta.
Prokurorja Ellen Shaw tha se një kompensim prej £25,000 kishte ngritur dyshimet e zyrtarëve ‘sepse ishte një shumë e madhe’, për të cilën Barclay ishte marrë në pyetje dhe pranoi se kishte “gabuar” dhe kërkoi ndjesë.
Ajo pranoi se kishte kaluar £15,000 në llogarinë e saj bankare, por klubi zbuloi më tej se ajo kishte përvetësuar para që prej qershorit 2019.
Barclay ishte shkarkuar që prej marsit të vitit të shkuar teksa la klubin e Manchester City me një deficit prej 89,000 paundë.
Pas hetimeve kriminale, Barclay tha në polici se kishte përdorur paratë për të blerë dhurata për bashkëshortin e familjarët. Ajo pranoi akuzat e përvetësimit dhe abuzimit të postit.
Avokati mbrojtjës Patrick Buckley apeloi që Barclay të mos dërgohej në burg, duke argumentuar se ajo kishte ardhur nga Skocia për vendin e punës dhe ishte bërë e izoluar.
“Ajo ishte shumë larg shtëpisë së saj, e vetmuar dhe kërkonte ngushëllim në terapinë e blerjeve. Por problemi ishte se terapia u bë më paratë e punëdhënëseve të saj”.
Pas shkarkimit nga skuadra e City, gruaja duket se ka gjetur punë të re me një agjenci udhëtimi, të cilëve u ka treguar për dënimin e saj.
Barclay, nga Falkirk në Skoci, do të kryejë në burg vetëm gjysmën e dënimit prej 18 muajsh.
Top Channel