SHBA-Kinë/ Trump dhe Xi diskutojnë marrëdhëniet strategjike, tregtinë dhe inteligjencën artificiale
Arabia Saudite ka rritur gatishmërinë pas sulmeve të rebelëve Huthi nga Jemeni, ndërsa Riadi ka aktivizuar bashkëpunimin trepalësh në fushën e mbrojtjes me Turqinë dhe Pakistanin.
Krerët e shtabeve të mbrojtjes kombëtare të tre vendeve pritet të zhvillojnë një takim urgjent për të diskutuar mënyrat e forcimit të mbrojtjes së mbretërisë pas sulmeve të lëvizjes jemenase Ansarallah, e njohur si Huthi dhe e afërt me Iranin.
Ministria e Jashtme saudite njoftoi zhvillimin e takimit, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e diskutimeve apo masat që mund të ndërmerren.
Në të njëjtën kohë, Myftiu i Madh i Arabisë Saudite, Sheikh Saleh bin Fawzan al-Fawzan, u ka bërë thirrje forcave të armatosura saudite të jenë të gatshme edhe për sakrificë në përballjen me Huthët.
Në një mesazh drejtuar forcave që shërbejnë pranë kufirit me Jemenin, ai citoi fragmente nga Kurani dhe deklarata që i atribuohen Profetit Muhamed lidhur me sakrificën dhe mbrojtjen e vendit.
“Mbrojtja e këtij kombi të madh (…) dhe ndëshkimi i kujtdo që prek qoftë edhe një centimetër të territorit të tij është ndër detyrat më të rëndësishme”, deklaroi ai, duke shtuar se “jetët mund të sakrifikohen” për kënaqësinë e Zotit.
Zhvillimet kanë ngritur pikëpyetje mbi mundësinë që Riadi të shqyrtojë një përgjigje më të gjerë ushtarake, përfshirë edhe një operacion tokësor në Jemen, në bashkëpunim me forcat e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, të cilën Arabia Saudite e mbështet.
Myftiu i Madh e cilësoi rivendosjen e autoritetit të qeverisë jemenase si një nga detyrimet më të rëndësishme dhe bëri thirrje për “shfarosjen e plotë” të Ansarallah dhe mbështetësve të saj.
Ndërkohë, tensionet mes Riadit dhe Huthëve janë përshkallëzuar. Televizioni shtetëror saudit ka transmetuar pamje të një sulmi ndaj një xhamie në jug të vendit, të cilin autoritetet saudite ia kanë atribuar lëvizjes Huthi.
Riadi gjithashtu e ka akuzuar së fundmi Ansarallah-un për përpjekje për të sulmuar Mekën, akuzë që lëvizja jemenase e ka mohuar.
Huthët, të mbështetur nga Irani, kanë qenë një nga faktorët kryesorë të paqëndrueshmërisë në rajon, ndërsa konflikti në Jemen mbetet një prej pikave kryesore të përplasjes mes Teheranit dhe Riadit.
Top Channel