Përplasje në Shtëpinë e Bardhë, mediat e ndaluara nga Trump pengohen të mbulojnë darkën me Xi Jinping

25/09/2026 08:41

Gazetarët e CNN dhe MS NOW u penguan të mbulonin mbërritjen e të ftuarve në darkën shtetërore të organizuar nga presidenti amerikan Donald Trump për liderin kinez Xi Jinping. Kjo ndodhi vetëm disa orë pasi një gjykatë federale kishte urdhëruar rikthimin e aksesit të këtyre mediave në Shtëpinë e Bardhë.

Vendimi i gjykatës ishte dhënë gjatë natës nga gjyqtari federal Timothy Kelly. Ai urdhëroi administratën amerikane të rikthente përkohësisht aksesin e CNN, MS NOW dhe Politico në ambientet e Shtëpisë së Bardhë. Sipas gjyqtarit, heqja e kredencialeve të gazetarëve kishte gjasa të kishte shkelur të drejtat kushtetuese për proces të rregullt ligjor.

Megjithatë, gjatë së enjtes pati një tjetër përplasje mes administratës dhe tre mediave. Në orët e mëngjesit, gazetarët e CNN, MS NOW dhe Politico raportuan se fillimisht nuk u lejuan të hynin në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht vendimit gjyqësor. Më vonë, kredencialet u rikthyen dhe gazetarët u lejuan të hynin.

CNN: U kufizua përbërja e ekipit

Problemet vazhduan edhe në mbrëmje, gjatë përgatitjeve për darkën shtetërore të Trump me Xi Jinping.

CNN raportoi se një reporter dhe një producent i saj nuk u lejuan të hynin për të mbuluar mbërritjen e presidentit kinez. Sipas rrjetit televiziv, administrata kishte informuar më herët se CNN mund ta mbulonte eventin vetëm me një fotoreporter dhe një teknik audio, por jo me ekipin që përfshinte reporterin dhe producentin.

Edhe një gazetare e MS NOW raportoi se nuk u lejua të hynte për të ndjekur eventin. Sipas mediave, ekipet kishin dorëzuar më herët emrat e gazetarëve për marrjen e kredencialeve.

Gjykata urdhëroi rikthimin e aksesit për 14 ditë

Gjyqtari Timothy Kelly urdhëroi që kredencialet e CNN, MS NOW dhe Politico të riktheheshin dhe që ndalimi të mos zbatohej për një periudhë fillestare prej 14 ditësh.

Në vendimin e tij, Kelly vuri në pikëpyetje argumentin e administratës se kufizimi i mediave lidhej me sigurinë kombëtare. Ai tha se në materialet e paraqitura në gjykatë nuk kishte mbështetje të mjaftueshme faktike për këtë pretendim.

Administrata amerikane kishte argumentuar se raportimet e CNN, MS NOW dhe Politico për çështje të ndryshme përbënin rrezik për sigurinë kombëtare. Në dokumentet e saj, Departamenti i Drejtësisë përmendi ndër të tjera artikuj mbi rezervat e raketave, ndërtimin e një salle të re në Shtëpinë e Bardhë dhe një konventë të fundit të republikanëve.

Ndërkohë, rrjetet Fox News, NBC, CBS dhe ABC, të cilat u tërhoqën nga mbulimi i përbashkët në shenjë solidariteti, ende nuk kishin konfirmuar rikthimin në rotacionin e mbulimit televiziv nga Shtëpia e Bardhë.

Ngjarjet ndodhën në të njëjtën ditë kur Donald Trump priti presidentin kinez Xi Jinping në Shtëpinë e Bardhë, ku u zhvillua edhe darka shtetërore.

Top Channel