Italia sjell në Tiranë më të mirët për sfidën me kuqezinjtë!

11/11/2022 21:29

Kampionët e Europës do të vijnë me formacionin më të mirë të mërkurën në Tiranë, ku do të përballen me kombëtaren shqiptare të futbollit në një ndeshje miqësore.

Trajneri i Italisë, Roberto Mancini ka grumbulluar për sfidën me kuqezinjtë, emrat më të rëndësishëm të Italisë, portierin Donaruma, mesfushorët Nicolo Barrella dhe Marco Verratti, sulmuesin Federico Chiesa, Zaniolo, Giacomo Raspadori, Scamaca, mbrojtësit Bastoni Leonardo Bonucci.

Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyer edhe për sportdashësit shqiptarë që të mund të shohin nga afër kampionët e Europës.

Ndërkohë, nga ana tjetër kuqezinjtë e drejtuar ende nga Edoardo Reja janë para një testi të rëndësishëm, pak muaj para nisjes së eliminatorëve të kampionatit europian Gjermani 2024. Tekniku Reja do të publikojë të shtunën listën e lojtarëve që do të grumbullohen për sfidën me Italinë. Ndeshja mes Italisë dhe Shqipërisë do të luhet katër ditë përpara nisjes së kampionatit botëror Katar 2022, ku një nga mungesat më të mëdha do të jetë pikërisht Italia që nuk arriti të kualifikohej.

Top Channel