Kupa e Shqipërisë në peshëngritje/ Sportisti më i mirë, Briken Calja në 331 kg në dygarësh

06/11/2022 20:21

Kupa e Shqipërisë në peshëngritje kishte një vlerë më tepër se kombëtare, pasi do të përcaktonte edhe sportistët që do të shkojnë në kampionatin botëror të peshëngritjes që zhvillohet në Kolumbi në fillim të dhjetori.

Nën emrin e dëshmorit të atdheut, ish-komisarit Artan Cuku, në këtë aktivitet morën pjesë të gjitha klubet e vendit, por sportisti më i mirë sërish u shpall Briken Calja me 331 kg në dygarësh.

Briken Calja-peshëngritës: Jam rikthyer nga një dëmtim shumë serioz dhe ky test për mua tregoi gjithçka. Tregoi që isha në një formë shumë të mirë sepse jemi ende në fazë përgatitore, por me këtë ritëm unë do të jem sërish në top listën e më të mirëve pse jo në zonën e medaljeve apo kampion bote.

Ky aktivitet ishte testi i fundit kombëtarë përpara aktiviteteve madhore ndërkombëtare për federatën e peshëngritjes.

Elez Gjoza-president i FSHP: Ishte një garë shumë dinjitoze dhe sportisti më i spikatur padyshim ishte Briken Calja i cili do të thotë fjalën e tij në Botëror. Ne do të ikim me ekip të plotë dhe shumë të mobilizuar në Kolumbi dhe obojektivi ynë do të jetë që të sigurojmë kualifikimin me 3 sportistë në olimpiadën Paris 2024.

Ndërkohë që në këtë Kupët të Republikës mungoi dueli i shumë pritur mes Briken Caljes dhe Erkand Qerimajt që nuk mori pjesë duke paraqitur raport.

Briken Calja-peshëngritës: Do të tregoja një performancë akoma më të mirë, por gjithsecili vendos vetë se çfarë do të bëjë. Unë kisha detyrimin moral që të merrja pjesë, kam garuar gjatë gjithë kohës, e kam bërë europianin me një dorë dhe i përgjigjem çdo garë çdo dueli.

Për qytetin e Kamzës ky ishte aktiviteti i parë i peshëngritjes pas më shumë se 30 vitesh.

Dashamir Çajka-president i klubit të peshëngritjes Kamza: Çdo kush duhet ta provojë vështirësinë e një aktiviteti të tillë që të mund të flasë. Është një emocion u papërshkrueshëm, një përgjegjësi dhe një vlerësim jashtëzakonisht i madh.

Top Channel